Në lidhje me masat e marra rreth çmimeve të ushqimeve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vlerësoi se janë fituar rezultate duke shënuar ulje të shpenzimeve për 9 %.
“Shporta konsumatore ka rënie prej 2147 denarësh, diçka më pak se 9%, në muajin prill krahasuar me shkurtin. Besoj se kjo është rezultat i masave të qeverisë që përfundojnë më 30 prill. Pres analizë të detajuar dhe monitorim të tregut që të mos ketë devijime nga tregtarët që duan të përfitojnë në mënyrë të pandershme”, deklaroi kryeministri Hristijna Mickoski.
Ai paralajmëroi masa të reja pas 30 prillit, nëse do të ketë :përfitime të pandershme: nga tregtarët, ndërkohë paralajmëroi edhe një shportë të re ku do të përfshihen produktet sezonale.
“Do të shkojmë edhe një hap më tej dhe do të krijojmë një aplikacion për qytetarët që të lokalizojnë marketet dhe të krahasojnë çmimet. Shporta minimale e konsumit po ulet edhe sipas metodologjisë së njërit prej sindikatave dhe ky trend do të vazhdojë ose do të stabilizohet, por nëse ka sjellje devijuese, sërish do të sjellim masa”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Ndryshe, marketet më të mëdha në Maqedoni në muajin prill kanë publikuar çmimet e shitjes me pakicë në faqet e tyre të internetit, duke respektuar ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve që hyri në fuqi më 18 prill. Por nga pikëpamja praktike, megjithëse çmimet janë të disponueshme, krahasimi i tyre midis marketeve të ndryshme është i vështirë dhe kërkon kohë.
Në fund të muajit prill skadon kufizimi i marzheve të fitimit dhe çmimeve maksimale të produkteve ushqimore bazë, të cilin qeveria e vendosi më 20 shkurt me propozim të Ministrisë së Ekonomisë.