8.4 C
Tetovo
E diel, 30 Mars, 2025
BallinaLajmeQeveria e Kosovës,mashtrohet nga dy komedianë rusë, njëri iu prezantua Kurtit si...

Qeveria e Kosovës,mashtrohet nga dy komedianë rusë, njëri iu prezantua Kurtit si president i Letonisë

Qeveria e Kosovës ka rënë pre e dy komedianëve rusë të njohur për video-mashtrime, në të cilat ata paraqiten si liderë shtetesh dhe më pas i publikojnë bisedat. Kryeministri Albin Kurti ka rënë pre e këtij lloj mashtrimi. Vërtetësinë e videos së publikuar të mërkurën e ka konfirmuar edhe Qeveria

Vovan dhe Lexus, dy komedianë rusë që njihen për shtirjen e tyre si liderë shtetesh dhe që kanë mashtruar udhëheqës të shumtë nëpër Evropë, kanë vënë në kurth edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në videon e publikuar të mërkurën nga kjo dyshe, njëri nga komedianët shtiret sikur është presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs. 

Aty Kurti urohet për fitoren në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe më pas shefi i ekzekutivit të Kosovës fillon që të flasë për shumë tema, përfshirë armatosjen e Ukrainës, protestat në Serbi si dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe zyrtarët e saj. 

Domosdoshmërinë e armatosjes së Ukrainës, Kurti në video e ndërlidh me talebanët në Afganistan dekada më parë.

“Në fundin e ‘80-ave talebanët në Afganistan merrnin armë nga SHBA-ja për ta shporrur Bashkimin Sovjetik. E dini, pra, edhe talebanët merrnin kaq shumë pajisje deri kur e përzunë Bashkimin Sovjetik dhe tash Ukraina duhet ta shporrë Federatën Ruse… Nuk po i krahasoj, vetëm po them që është shumë e rëndësishme të ketë armë të sofistikuara kundër Rusisë dhe po them që edhe talebanët, organizatë e tmerrshme militante, organizatë kriminale – edhe ata 40 vjet më parë merrnin plot pajisje amerikane dhe armë kundër Bashkimit Sovjetik dhe mirë që i kanë dhënë, SHBA-ja donte ta hiqte Bashkimin Sovjetik edhe pse ato armë përfunduan në duart e gabuara”, ka thënë Kurti në videon e postuar nga komedianët rusë.

E, lidhur me zhvillimet në Serbi ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk po e mbështet mjaftueshëm lëvizjen studentore serbe. 

“Por, opozita demokratike në Serbi në formën e kësaj lëvizjeje masive studentore nuk po merr mbështetje të mjaftueshme nga BE-ja dhe SHBA-ja. Ata duhet t’i mbështesin më shumë… Propozimi im është që të hiqet regjimi në Serbi, që është prorus dhe që Serbia të detyrohet ta njohë Kosovën”, ka theksuar Kurti.

Në këtë komunikim kryeministri Kurti ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka vlerësuar se Richard Grenelli nuk do të ishte ndërmjetës i besueshëm në këtë proces. 

“Ai ka qenë goxha në linjë me opozitën. Ai e ka njëfarë nderimi të lartë nga Beogradi, kështu që nuk është ok të marrësh një urdhër të tillë nga një shtet autoritar dhe të shtiresh sikur je neutral”, ka theksuar Kurti. 

Ai në këtë video i ka përsëritur edhe deklaratat që i ka dhënë publikisht se Grenelli është arsyeja e rrëzimit të Qeverisë Kurti 1 më 2020, kur botën e pati kapluar nga pandemia COVID-19.

Pak kohë pas publikimit të videos, në Qeveri e kanë konfirmuar vërtetësinë e saj. Në një sqarim, në Qeveri kanë shprehur keqardhje për ngjarjen dhe kanë thënë se rasti ka ndodhur në kohën kur kryeministri ka pranuar telefonata të shumta.

“Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate…Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrjeje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyç, si në biseda publike ashtu edhe në ato private”, kanë thënë në Qeveri.

Në sqarim është theksuar po ashtu se Rusia vazhdon që ta ketë fiksim Kosovën dhe se ajo po e sulmon atë duke përdorur luftë hibride. Siç thuhet në sqarim, “Sputnik Serbia” dhe “Russia Today” kanë publikuar mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues për të ndërhyrë në zgjedhje, gjë që “është dokumentuar edhe prej Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”. 

Kjo nuk është hera e parë që Qeveria bie pre e thirrjeve mashtruese. Edhe Ramush Haradinaj, në kohën sa ka qenë kryeministër, pati rënë pre e telefonatës së dy komedianëve rusë. 

Nëpërmjet thirrjeve të ngjashme, ata patën mashtruar më herët edhe disa politikanë evropianë, përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron, presidentin polak, Andrzej Duda, ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, ish-kryeministrat e Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe Milo Gjukanoviq, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe figura të njohura si Elton John dhe Princi Harry.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments