Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2020 në qytetin e Tetovës nga qentë endacak janë kafshuar shtatë qytetarë, që do të thotë nga një qytetar në çdo javë. Këto janë të dhëna të marra nga raportet e Sektorit për punë të Brendshme në Tetovë.
Numri i atyre që janë sulmuar dhe nuk kanë marrë terapi kundër tërbimit është shumë më i madh pasi që të njëjtët, ose nuk kanë qenë në spital ose nuk kanë marrë terapi kundër tetanusit dhe tërbimit.
Specialsti i sëmundjeve infektive, Halil Ismaili, thotë se sëmundja e tërbimit është vdekjeprurëse dhe për këtë arsye rreziku është i madh nga kafshimi i qenve endacak.
“Nëse kafshohet në lëkur të hapur ose pa mbuluar atëherë me automatizëm merr serum kundër tërbimit dhe për tetanus. Ekziston rrezik nga lëndimi i qenve endacak, për arsye se ka rrezik që të përcjellët një sëmundje që është e pa shpresë . Nuk njehë shkenca e mjekësisë që dikush të ketë fituar tërbim dhe ka shpëtuar gjallë”, deklaroi për TV21, Halil Ismaili.
Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë angazhuar operatorin “Dog &Cat” që është duke u marrë me trajtimin e qenve endacak dhe deri me tani sipas tyre janë trajtuar 153 qen endacak.
“Për këtë vit komuna e Tetovës ka ndarë 600 mijë denarë për trajtim dhe sterilizimin e kafshëve endacake, në kuadër të programit për zgjidhjen e problemit me kafshët endacake në territorin e Komunës së Tetovës. Deri më tani janë realizuar 153 trajtime dhe kastrime, 102 sterilizime, si dhe 5 raste të eutanazionit të kafshëve endacake”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Numri i qytetarëve që janë kafshuar nga qentë endacak në qytetin e Tetovës vazhdon të ngelet i madh në krahasim me komunat e tjera. Në komunën e Gostivarit në të njëjtën periudhë kohore janë sulmuar dy qytetarë dhe dy të tjerë në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës.