Profesori universitar Qenan Aliu ka reaguar lidhur me dilemat ligjore që kanë dalë pas dështimit të censuseve në zgjedhjet lokale në Gostivar, duke sqaruar pse qeveria nuk mund të emërojë një të besuar të saj për ushtrimin e detyrës së kryetarit të komunës.
“Kuvendi i RMV në tetor të vitit 2024 miratoi Ligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Në këtë ligj është theksuar qartë se kur shpërfaqet njëra nga shkaqet për pushimin e mandatit të kryetarit të komunës me fuqi të ligjit – siç është rasti kur ai zgjidhet ministër në qeveri – atëherë këshilli i komunës, nga radhët e veta, zgjedh ushtrues detyre të kryetarit të komunës, i cili e ushtron këtë funksion deri në zgjedhjen e kryetarit të ri në zgjedhjet e para të rregullta lokale”, – thekson Aliu.
Sipas tij, ky nen nënkupton se në rastin konkret të Gostivarit, Valbon Limani, i cili është zgjedhur nga Këshilli i Komunës si U.D. kryetar, ligjërisht vazhdon të mbetet në detyrë deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
“Gostivari është rast unikat në aspektin juridik. Për dallim nga komunat tjera ku do të përsëriten zgjedhjet, këtu duhet të respektohet ligji material, edhe pse ekziston një kolizion mes këtij ligji dhe Kodit Zgjedhor,” – shton Aliu.
Në vijim, ai paralajmëron stafin juridik të shtabit të Limanit për disa çështje që duhen pasur parasysh:
“Zgjedhjet në Gostivar nuk kanë përfunduar për shkak të censuseve. Në këtë situatë, qeveria nuk mund të suspendojë vendimin e këshillit për zgjedhjen e Valbon Limanit si U.D. kryetar, për të emëruar një të besuar të saj. Një akt i tillë do të ishte i kontestueshëm dhe mund të ankimohej në Gjykatën Administrative, e cila do ta shqyrtonte me procedurë të shpejtë.”
Në fund, Aliu thekson se demokracia nuk është vetëm politikë, por mbi të gjitha është procedurë dhe sundim i ligjit. Gazeta Flaka