Mbështetësit e presidentit serb, AleksandarVuçiq kanë anuluar mbrëmë një takim në Nish pasi në qendër të qytetit, ku ishte planifikuar të mbahej një tribunë e Partisë Progresive Serbe (SNS) me pjesëmarrjen e krerëve të partisë, u mblodhën shumë protestues. Disa nga protestuesit hodhën vezë drejt përfaqësuesve të Vuçiqit.
Me vezë u qëllua edhe kryetari i komunës së Nishit, Dragoslav Pavloviq, i cili gjithashtu u spërkat me një lëng të panjohur. Në rrjetet sociale u shfaq një video e incidentit.
Një tjetër video tregon se edhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Nish, Milorad Jerkan, u përball me një situatë të ngjashme.
Studentët njoftuan se gjatë mbrëmjes është arrestuar shoku i tyre nga Fakulteti Juridik, Mateja Nikoliq. Para Drejtorisë së Policisë në Nish u mblodhën studentë, si dhe deputetet e opozitës, Jelena Millosheviq dhe Ana Erakoviq.
Kud naleteh na tebe nesrećo?! 🥲
Gradonačelnik Niša Dragoslav Pavlović! 🙃#niš pic.twitter.com/fzW2evPfmL
— Mateja (@MATEJANIKOLlC) March 21, 2025
Fillimisht, autoritetet mohuan se Nikoliq ishte brenda, por më vonë e konfirmuan se ai ndodhej në komisariat. Studentët kërkuan lirimin e tij.
Pasi përfaqësuesit iu përzunë nga Nishi dhe kryetari i komunës u sulmua, Vuçiq reagoi në Instagram.
Ai u paraqit nga hoteli Nais, rreth 15 minuta larg qendrës së Nishit, duke deklaruar se “nuk kishte ndjerë kurrë një zemërim të tillë në 13 vitet e fundit”.
“Nuk kam ndjerë kurrë një zemërim si ky sonte. Ata që thirreshin në lirinë e tubimeve dhe ankoheshin te evropianët dhe të tjerët se ishin të privuar nga të drejtat e tyre, organizuan linçimin e atyre që mendojnë ndryshe. Përtej faktit që i qëlluan me gurë dhe vezë, janë po ata që ju akuzojnë për dhunë nëse thjesht i shikoni shtrembër. Nuk hezituan të shanin si karrocierë dhe të bënin kërcënime të neveritshme fashiste”, tha Vuçiq në një video.
Ai gjithashtu lavdëroi reagimin e kryetarit të komunës së Nishit, Dragoslav Pavloviq, duke pretenduar se ai u sulmua nga “shërbëtori i Gjilasit” (referuar liderit opozitar Dragan Gjilas).
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) njoftoi se “në Nish ka pasur një shkelje të rëndë të rendit dhe qetësisë publike”.