4.1 C
Tetovo
E mërkurë, 1 Prill, 2026
BallinaOpinionQani Shabani / Nëse sistemi i faturimit ka funksionuar në mënyrë të...

Qani Shabani / Nëse sistemi i faturimit ka funksionuar në mënyrë të ‘shtrembëruar’ kemi të bëjmë me dështim të dyfishtë

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Pretendimet e bëra nga Visar Azemi nga LDK-ja për deformim masiv të matjes së kohës në njehsorët elektrikë në Kosovë përbëjnë një nga akuzat më serioze ndaj sektorit energjetik në dekadën e fundit. Nëse këto pretendime vërtetohen, nuk kemi të bëjmë më me një devijim teknik të izoluar, por me një problem të thellë që prek drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në sistemin e faturimit dhe, më gjerë, në shtetin vetë.Sipas të dhënave nga një mostër prej 884 njehsorësh në Prishtinë dhe Ferizaj, mbi 87% tregojnë devijim kohor, në disa raste deri në 15 orë. Një përqindje kaq e lartë e anomalive përjashton çdo shans të një gabimi rastësor. Në çdo standard teknik dhe statistikor, kjo tregon një fenomen sistemik.

Çështja kyçe nuk është vetëm nëse kemi problem teknik – kjo tashmë duket e qartë – por nëse kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm apo me dështim institucional.

Nga aspekti teknik, njehsorët elektronikë funksionojnë mbi bazën e orëve të brendshme dhe konfigurimeve të tarifave, që kërkojnë sinkronizim të vazhdueshëm me sistemin qendror. Çdo devijim ndikon direkt në aplikimin e tarifave të larta dhe të ulëta. Nëse pajisjet nuk janë të kalibruara ose sistemi qendror ka defekte, qytetarët mund të faturohen gabimisht, pa domosdoshmëri për ndërhyrje të qëllimshme.

Megjithatë, kur devijimi ndodh në përqindje kaq të madhe dhe gjithmonë favorizon tarifën më të shtrenjtë, lind dyshimi i arsyeshëm për një strukturë të shtrembëruar. Ky nuk është më një problem teknik i zakonshëm, por një situatë që kërkon hetim të thellë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me model të qëllimshëm përfitimi financiar.

Përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm te operatori i shpërndarjes, KEDS. Një rol vendimtar ka edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), e cila aprovon tarifat dhe mbikëqyr zbatimin e tyre. Nëse sistemi i faturimit ka funksionuar në mënyrë të shtrembëruar për një kohë të gjatë, kemi të bëjmë me dështim të dyfishtë institucional: operacional dhe rregullator.

Nga këndvështrimi juridik, dallimi midis “gabimit sistemik” dhe “mashtrimit sistematik” është vendimtar. Për të kaluar në kategorinë e mashtrimit, duhet të provohet që devijimet ishin të njohura nga autoritetet, nuk u korrigjuan qëllimisht dhe prodhuan përfitim financiar të vetëdijshëm. Në mungesë të këtyre elementeve, kemi të bëjmë me neglizhencë të rëndë institucionale, e cila mbetet e dënueshme dhe kërkon përgjegjësi.

Pavarësisht klasifikimit juridik, një fakt mbetet i qartë: nëse qytetarët kanë paguar energji me tarifa të gabuara për shkak të një sistemi të pasaktë, cenohen parimi i sigurisë juridike dhe e drejta e konsumatorit.

Zgjidhja nuk mund të jetë politike apo deklarative. Duhet hetim forenzik i pavarur i njehsorëve dhe sistemit të faturimit, auditim ndërkombëtar i pavarur i infrastrukturës teknike, transparencë totale ndaj publikut dhe, nëse dëmi vërtetohet, duhet të bëhet kompensim i plotë për qytetarët. Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë çështje do të ishte shmangie e përgjegjësisë dhe normalizim i praktikave abuzive. Përgjegjësit e skandalit duhet të ndëshkohen.

Ky nuk është vetëm një skandal teknik. Është një test për shtetin ligjor. Nëse institucionet nuk garantojnë matjen e drejtë të një shërbimi bazik si energjia elektrike, vihet në pikëpyetje funksioni i institucioneve kyçe për mbrojtjen e interesit publik.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments