Pushteti ëshrë ndëruar por a do të ndryshoj qasja ndaj administrates për të bërë reforma të nevojshme?
Maqedonia e Veriut ka qenë peng i një administrate të kapur nga klanet politike dhe grupet e interesit që e kanë trajtuar shtetin si pronë private. Shqiptarët janë veçanërisht viktima të një skeme diskriminuese, ku në letër janë të barabartë, por në realitet trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
Tani që pushteti po ndryshon, lind pyetja: A do të ndodhë një reformë e vërtetë, apo do të kemi vetëm një riciklim të të njëjtave fytyra, me po të njëjtat mentalitete të vjetra?
Administrata – Një Kështjellë e Korrupsionit dhe Kapjes Shtetërore
Administrata publike është shndërruar në një bunker të militantëve politikë, ku aftësia nuk vlen, por mbi të gjitha rëndësi ka lidhja me partinë dhe lojaliteti ndaj bosëve të pushtetit. Korrupsioni është sistematik, punësimet bëhen me ryshfet, ndërsa qytetarët që nuk janë të lidhur me partitë janë të detyruar të sorollaten në dyert e zyrave sikur të ishin skllevër në shtetin e tyre.
Shqiptarët – Viktimat e Përjetshme të Mashtrimeve Politike
Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për propagandë, por asnjëherë nuk u zbatua realisht. Në institucione ende nuk mund të shërbehesh në gjuhën shqipe, dhe në shumë raste, shqiptarët detyrohen të flasin maqedonisht për të marrë një dokument bazik. Zbatimi i ligjit është i qëllimshëm i bllokuar nga mekanizmat e shtetit.
A do të ndryshojë ky realitet, apo pushtetarët e rinj do të heshtin njësoj si ata të vjetrit?
Reformat që Duhen Bërë Ose Ky Shtet Do Të Mbetet Një Karikaturë
Nëse qeveria e re nuk do të jetë e gatshme të pastrojë administratën nga militantët e paaftë dhe korrupsioni i rrënjosur, atëherë ky shtet nuk ka të ardhme.
Depolitizimi i plotë i administratës – Çdo i punësuar duhet të kalojë përmes një procesi transparent dhe jo përmes listave partiake.
Shkarkimi i të gjithë funksionarëve të paaftë dhe të korruptuar – Administrata nuk mund të jetë strehë për hajdutët politikë.
Zbatimi i plotë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve – Institucionet që nuk respektojnë këtë ligj duhet të ndëshkohen penalisht.
Digitalizimi total i shërbimeve shtetërore – Sa më pak kontakt mes qytetarëve dhe burokratëve, aq më pak korrupsion.
Përfaqësimi real i shqiptarëve – Mjaft më me shifra fiktive dhe mashtrime statistikore për numrin e shqiptarëve në administratë.
O Ka Ndryshim, O Do Ketë Revoltë!
Shqiptarët nuk mund të jenë më spektatorë të një loje politike ku ata janë gjithmonë të mashtruarit. Nëse nuk ndodh ndryshimi, atëherë qytetarët duhet të reagojnë fort dhe të mos lejojnë një tjetër mashtrim politik që i mban të nënshtruar. Koha për eksperimente ka mbaruar – ose bëhet reformë e vërtetë, ose ky pushtet duhet përballur me revoltën e njerëzve që nuk mund të jetojnë më nën këtë skemë kriminale shtetërore.