Edhe pse punimet për pastrimin dhe rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin me mur mbajtës kanë nisur para dhjetë muajsh, ato po zvarriten mes pengesave të ndryshme, duke e lënë zonën në gjendje kaotike dhe banorët e lagjes Dardania të revoltuar, autoritetet komunale thonë se punimet do të vazhdojnë së shpejti, pa dhënë afat se kur do të përfundojnë, shkruan Portalb.mk. Lumi Shkumbin në lagjen Dardania vazhdon të mbetet i ndotur me mbetje nga më të ndryshmet, ndërsa punimet për murin mbajtës po vonohen me muaj të tërë.
Këto vonesa kanë shkaktuar shqetësime te banorët e lagjes, disa prej të cilëve i rrëfyen për Portalb.mk.
“Më mirë fare mos t’i kishin nisur punët aty, se sa t’i nisnin, dhe të na linin në këtë gjendje, une kam fushë dhe mezi shkoj deri aty për shkak të gropave që janë hapur për ndërtimin e murit apo shëtitorës, dhe janë lënë ashtu duke na bllokuar qasjen në atë që ne e shfrytëzonim si rrugë. Disa tjerë kanë shtëpi, kjo lagje po ndërtohet sepse njerëzit kanë prona aty, ndërsa komuna e ka lënë në mëshirë të fatit, pa plan urbanistik dhe duke mos investuar fare, gjithçka që është bërë aty, është realizuar me vetiniciativë të banorëve të lagjes, 0 denarë nga komuna”, tha një qytetar.
“Nuk e kam të qartë pse i nisin punët dhe më pas i lënë në gjysmë? Apo mos presin të fillojë fushata zyrtarisht, të marrin kamionët dhe të vijnë të lavdërohen se punohet diçka dhe të kërkojnë votat? Është turp dhe mëkat që ky vend aq afër komunës të lihet pas dore në këtë mënyrë! Pamja është e keqe, vjen dhe era e keqe, thjeshtë kushtet e jetesës në këtë vend janë të këqija. Duhet të rregullohet sa më shpejtë”, tha në banore.
“Ndërtimi i murit në Lumin Shkumbin është premtim i kamotshëm, edhe pse i njëjti filloi, aty ka shumë mangësi pasi që nuk ka zgjidhje për kanalizmin atmosferik që në të vërtetë është denikgruar në fekal dhe del në lum. Muri mbajtës mund të jetë zgjidhje për ndërtesat që janë ndërtuar por jo për qytetarët, si duket ata më shumë i shërbejnë atyre se sa zgjidhjes së problemit me lumin nga vërshimet”, tha një banor tjetër.
Për këtë problem, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për Portalb.mk pranoi se aty ka një sërë problemesh, të cilat pritet të tejkalohen dhe punimet të vazhdojnë nga java e ardhshme.
Kasami tha se te pjesa e Xhamisë duhet një devijim i vogël i projektit për shkak të asaj se pengon në atë pjesë, dhe se shtëpia projektuese garantoi se brenda kësaj jave do të kompletohet projekti dhe nga java tjetër operatori do të mund të vazhdojë edhe në atë pjesë.
“Po ashtu edhe në anën e djathtë është një mur i një hapsire që është pronë private, jemi dakorduar edhe me pronarin e asaj pjese që ta largojë atë mur dhe të vazhdojmë. Është një pjesë shumë delikate që ka problem me objekte pa leje, me objekte me leje por që janë në trasenë e lumit, punojmë hap pas hapi që t’i zgjidhim këto probleme”, tha Kasami.
Megjithatë, ai nuk përmendi se kur konkretisht pritet që të përfundojnë punimet.
Punimet për rregullimin e shtratit të lumit Shkumbin në lagjen Dardania në bazë të projektit, përfshijnë shtrirjen nga rruga VS Bato deri te autostrada Tetovë-Shkup-Gostivar.
Pavarësisht se punimet për këtë pjesë ishin planifikuar të fillonin nga fillimi i muajit tetor 2024, të njëjtat nuk filluan, punimet filluan në fillim të muajit nëntor 2024.
Shtrati i Lumit Shkumbin në lagjen Dardania në Tetovë me vite është jashtëzakonisht i ndotur me mbeturina nga më të ndryshmet, duke krijuar edhe deponi.
Banorët e lagjes kanë qenë në frikë se lumi mund të del nga shtrati dhe të shkaktojë përmbytje sidomos këto ditë ku reshjet e shiut janë shtuar, ata me vite janë ankuar.
Ndërkaq Komuna e Tetovës ndër vite ka pastruar shtratin e lumit sa për “sy e faqe”, duke mos zgjidhur problemin me rregullimin e shtratit si në pjesën e sipërme mbi rrugën Industriale.
Për këtë problem Portalb.mk me vite të tëra raporton, ndërsa autoritetet vazhdimisht kanë premtuar zgjidhje, por duke mos zgjidhur problemin.
Ndryshe, një pjesë e lagjes Dardania në Tetovë është pa plan urbanistik.