Analisti dhe shkrimtari i njohur Kim Mehmeti ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në Maqedoninë e Veriut, duke kritikuar ashpër rolin e koalicionit opozitar shqiptar VLEN, transmeton Flaka
Në një reagim të publikuar, Mehmeti shprehet se dikur ishte BDI-ja ajo që i shërbente si mburojë pushtetarëve maqedonas nga kritikat shqiptare, ndërsa sot këtë rol e ka marrë VLEN-i.
“VLEN-i paguhet për ta mbrojtur sunduesin maqedonas nga ‘rreziku’ shqiptar,” thekson ai, duke shtuar se në këtë vend gjithçka ndryshon përveç mënyrës se si pengohet faktorizimi politik i shqiptarëve: përmes sunduesit maqedonas dhe vasalëve shqiptarë.
Ai shkon më tej duke i quajtur përfaqësuesit aktualë të VLEN-it si “paçavure” që nuk guxojnë të kritikojnë korrupsionin dhe shkeljet e pushtetarëve maqedonas, por mjaftohen me goditje ndaj bashkëkombësve të tyre.
Në mënyrë ironike, Mehmeti përmend edhe nostalgjinë për kohërat kur ambasadorët shqiptarë nuk angazhoheshin në çështjet e brendshme, dhe shqiptarët në institucione dinin të “ministrojnë”, por jo të “shqiptarojnë”.
Ky qëndrim i Kim Mehmetit vjen në një moment të tensionuar politik pas zgjedhjeve, me rritjen e diskutimeve rreth përfaqësimit dhe rolit të partive shqiptare në qeverinë e re të vendit.