-0.9 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmePse Serbia ngriti gatishmërinë luftarake të ushtrisë dhe policisë?

Pse Serbia ngriti gatishmërinë luftarake të ushtrisë dhe policisë?

“Ngritja e gatishmërisë së plotë luftarake do të thotë se ne jemi të gatshëm të reagojmë nëse dikush i sulmon serbët në Kosovë”, tha të martën kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Ajo tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka “kërcënuar me heqjen e dhunshme të barrikadave”, që grupe serbësh i kanë ngritur në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i mohoi pretendimet e Serbisë se edhe Kosova ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake dhe tha se institucionet e vendit të tij po punojnë me partnerët ndërkombëtarë që çështja e barrikadave të zgjidhet pa u përshkallëzuar situata.

Sveçla tha se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake dhe ka urdhëruar ngritjen e barrikadave të reja në Kosovë, “për të justifikuar dhe mbrojtur grupet kriminale”.

Nga 10 dhjetori e këndej, qytetarë serbë kanë ngritur mbi dhjetë barrikada në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.https://zeri.info/inarticle.html

Ata i janë përgjigjur kështu arrestimit të një ish-polici serb, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Nga mbrëmja e 26 dhjetorit, ndërkaq, ushtria dhe policia e Serbisë janë vendosur në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, apo në nivel “të përdorimit të forcës së armatosur”.

Këtë urdhër e dha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, në një adresim për publikun përmes llogarisë së tij në Instagram, tha se do t’i marrë “të gjitha masat për mbrojtjen e popullit dhe ruajtjen e paqes në veri të Kosovës”.

As ai, as përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme të Serbisë nuk specifikuan më shumë në lidhje me këto masa.

“Ne flasim me të gjithë dhe bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Ne vazhdojmë të luftojmë dhe të kërkojmë një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq të martën, pas një takimi me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Ai nuk foli për arsyet e rritjes së gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.
Që nga ngritja e barrikadave 18 ditë më parë, forcat serbe janë përqendruar në jug të Serbisë, pranë kufirit me Kosovën. Ato janë vendosur në kazermën në Rashkë dhe janë vizituar disa herë nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së këtij vendi.

Deri më tani, për shkak të tensioneve me Kosovën, Serbia ka rritur disa herë gatishmërinë luftarake të ushtrisë, por kjo është hera e parë që ajo i vë të gjitha forcat policore në nivelin më të lartë të gatishmërisë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të martën se ky është reagim ndaj “kërcënimit të menjëhershëm për luftë dhe çdo gjëje që po bën Prishtina për të kryer sulm” në veri të Kosovës.

Duke folur për Radio Televizionin e Serbisë, Petkoviq tha se edhe Kosova e ngriti gatishmërinë luftarake të forcave të saj në nivelin më të lartë, por nuk solli ndonjë provë për këto pretendime. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU:

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments