4.7 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmePse po hesht Talat Xhaferi? Kallajxhiev: Kuvendi mund të mblidhet edhe pa...

Pse po hesht Talat Xhaferi? Kallajxhiev: Kuvendi mund të mblidhet edhe pa vendim të kryeparlamentarit

Ka katër ditë që Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi nuk deklarohet për kërkesën e pranuar me nënshkrimet e 35 deputetëve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme që do ta rimblidhte sërish Kuvendin e shpërndarë në muajin shkurt.

Deklaratat e para disa ditëve të Xhaferit kanë qenë se nuk mund të mblidhet Kuvendi që tashmë është shpërbërë. Nga kabineti i tij edhe sot na thanë se nuk kanë asnjë përgjigje rreth kërkesës së deputetëve. E ekspertët e së drejtës kushtetuese mendojnë se as Kryeparlamentari nuk e ka të lehtë të sjellë një vendim.

“Është bëteja me COVID-19, në anën tjetër ishte vetëshpërndarja e Kuvendit, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për herë të parë, përsëri u shpall me vendim të Presidentit me iniciativë të qeverisë andaj krejt këto janë situata të reja dhe mendoj se edhe kryetari i Kuvendit nuk shpejton në këtë iniciativë”, tha Jusuf Zejneli, profesor universitar.

“Edhe ai ka pozitë delikate në këtë moment për shkak se nëse bazohemi në atë pohimin se parlamenti është i shpërbërë dhe se deputetët s’kanë funksion, atëherë as ai praktikisht nuk është bartës i atij funksioni”, tha Gordan Kallajxhiev, profesor universitar.

Si profesori i së drejtës kushtetuese Jusuf Zejneli po ashtu edhe profesori Gordan Kallajxhiev pohojnë se nuk ka asnjë pengesë juridike që Kuvendi të mblidhet sërish, megjithatë janë të ndarë në mendime se a duhet apo jo të bëhet kjo gjë. Kallajxhiev vlerëson se Kuvendi duhet të rimblidhet për shkak se qeveria aktuale teknike ka mandat të limituar ndërsa rekomandimet e Këshillit Evropian kërkojnë që secili shtet të sigurojë kontroll mininal të Parlamentit mbi Qeverinë. Andaj konsideron se Kuvendi duhet të mblidhet edhe pa vendim të kryeparlamentarit.

“Mendoj se Kuvendi do të mund të mblidhej edhe në bazë të iniciativës së vetë këtyre 30 e ca deputetëve.

TV21: Pa ndonjë vendim të Kryetarit të Kuvendit?

“Pa kryetarin, po… Ne kemi pasur situata ku indivitë pavarësisht funksionit që e mbajnë, si kryetari i shtetit që ishte, ose tani kryetari i Kuvendit, nuk do të duhej të lejonin të bëhen pengesë e funksionimit pa pengesë të demokracisë parlamentare” tha Kallajxhiev për TV21.

Duke qenë se tashmë dy herë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, profesori Zejneli nuk e sheh arsye për thirrjen e seancës, ndërsa vendimet e marra tani mund të arsyetohen në përbërjen e ardhshme parlamentare pas zgjedhjeve.

“Kjo çështje u krijua disi me vonesë. Po të ishte thirrur seancë e kuvendit para se Presidenti të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, mendoj se ndoshta do të kishte arsye më të fortë. Mirëpo përderisa tashmë është shpallë gjendja e jashtëzakonshme mendoj se të gjithë duhet të fokusohemi të fitojmë betejën me këtë virus dhe sigurisht që Kushtetuta e përcakton që pas kalimit të kësaj situate do ti mbetet përbërjes së ardhshme parlamentare që Presidenti duhet ta argumentojë vendimin për shpallejn e gjendjes së jashtëzakonshme”, tha tha Jusuf Zejneli, profesor universitar.

Të enjten me iniciativë të LSDM-së u mblodhën 35 firma deputetësh për thirrje të seancës së jashtëzakonshme për konfirmimin e dy vendimeve për gjendjen e jashtëzakonshme. U firmos nga deputetë të të gjitha partive parlamentare, përveç deputetëve të opozitares VMRO-DPMNE dhe Bashkimit Demokratik për Integrim./TV21

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments