Formimi i koalicionit që sot njihet si, VLEN, ka qenë një proces i ndërlikuar politik i shoqëruar me lëvizje të shumta brenda partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, brenda gjithë këtij zhvillimi një fakt dallohet qartë Lëvizja Besa ka hyrë në këtë strukturë politike si e vetmja parti e konsoliduar e pa përçarë dhe me lidership të pandryshuar, shkruan Zhurnal.
Që nga bashkimi fillestar në LEN, kur ende nuk ishte pjesë Aleanca për Shqiptarët, skena politike shqiptare po përballej me fragmentim. Alternativa kishte kaluar përmes ndarjes me Zejd Rexhepin, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit funksiononte si fraksion pa struktura të plota e organe partiake, ndërsa Aleanca për Shqiptarët, në momentin e bashkimit në VLEN, erdhi e ndarë në dy krahë një pjesë e orientuar drejt BDI-së dhe pjesa tjetër e bashkuar me LEN-in.
Në këtë koalicion politik, Lëvizja Besa e udhëhequr nga Bilall Kasami qëndroi si e vetmja parti kompakte, me identitet të qartë politik dhe me strukturë të konsoliduar organizative. Ky stabilitet i brendshëm u shndërrua në zhvillimin e mëvonshëm në një aset strategjik për koalicionin VLEN. Dhe, kjo gjë u vulos edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti që Lëvizja Besa doli fituese absolute në zonën 6.
Edhe zgjedhjet lokale konfirmuan faktin se Lëvizja Besa është partia më e fuqishme brenda VLEN-it –
Zgjedhjet lokale, veçanërisht gara e Tetovës dhanë një sinjal të qartë për peshën reale të Lëvizjes Besa. Tetova jo vetëm që u shndërrua në betejën kryesore të garës, por u kthye edhe në testin më të rëndësishëm politik për matjen e forcës brenda VLEN-it.
Rezultati i Tetovës ishte i shumëfishtë, BDI-ja pësoi humbjen më të rëndë politike, pavarësisht se në garë kishte një front të zgjeruar mbështetës. Shumë analistë e cilësuan këtë garë si pikën e kthesës që vulosi fundin e dominimit të gjatë të BDI-së në këtë komunë. Edhe Levica e Dimitar Apasievit, e pozicionuar hapur kundër Kasamit, nuk arriti të ndikonte rezultatin. Një pjesë e votuesve të VMRO-DPMNE-së, të cilët tradicionalisht janë faktor vendimtar në Tetovë, u perceptuan se votuan kundër Kasamit, por kjo nuk e ndryshoi epilogun.
Në të gjitha këto rrethana, fitorja e Kasamit ishte jo vetëm e pastër, por edhe e thellë. Kjo e pozicionoi Lëvizjen Besa si forca dominuese në zonën më strategjike të politikës shqiptare Tetovën dhe gjithë rajonin urban e rural që e rrethon atë.
Nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Besa do të nxirrte numrin më të madh të deputetëve nga VLEN –
Zgjedhjet lokale, përtej karakterit të tyre lokal janë gjithmonë një matës i besueshëm i peshës politike të partive në nivel vendi. Ato reflektojnë mobilizimin real të strukturave, fuqinë organizative dhe përfshirjen e bazës.
Lëvizja Besa, përmes rezultateve të fundit, ka treguar një shtrirje të thelluar sidomos në zonën zgjedhore 6, zonë ku tradicionalisht nxirret numri më i madh i deputetëve shqiptarë në Kuvend.
Ky fakt ka dy ndikime të drejtpërdrejta në skenarin e një palë zgjedhjeve të parakohshme, Lëvizja Besa do të ishte partia me kontributin më të madh parlamentar brenda VLEN-it. Fitorja e bindshme në zonën 6 e bën Besën jo vetëm partinë më të konsoliduar, por edhe më të projektuarën për rritje të mëtejshme.
Kujtojmë që, stabiliteti i brendshëm, lidershipi i qartë, prania elektorale dhe struktura e organizuar e bëjnë Lëvizjen Besa një aktor kyç brenda VLEN-it shpesh edhe boshtin rreth të cilit ndërtohet dinamika e këtij koalicioni. Nëse trendet aktuale vazhdojnë roli i saj në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut pritet të jetë edhe më i rëndësishëm në vitet që vijnë. /Zhurnal.mk
