12.2 C
Tetovo
E enjte, 16 Tetor, 2025
BallinaLajmeProtesta në Tiranë, Balluku: Rruga e Kombit pa pagesë më 17 tetor

Protesta në Tiranë, Balluku: Rruga e Kombit pa pagesë më 17 tetor

Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë, për të lehtësuar pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në protestën që do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa rruga do të jetë pa pagesë nga ora 9:00 të 17 tetorit, deri në orën 09:00 të 18 tetorit.

“Rruga e Kombit pa pagesë në datë 17 Tetor. ‘Lira ka emër – Drejtësi për çlirimtarët’, bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës”, shkruan Balluku në Facebook.

Vendimi vjen në kuadër të thirrjeve për pjesëmarrje masive në protestën gjithëkombëtare, e cila synon të shprehë solidaritet dhe kërkesë për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta pritet të nisë në orën 17:00, ku do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike, si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, në mbështetje të protestës do të ketë edhe përfaqësues nga rektorë universitetesh, tifozët “Kuq e Zi”, si dhe nga shumë qytetarë e shoqata në Kosovë e Shqipëri.

Këshilli Koordinues i shoqatave të dala nga lufta, përfshirë SHBPK-në, Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqërinë “Lëvizja”, në Prishtinë ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me protestën mbarëkombëtare që do të zhvillohet në Tiranë. Kjo protestë, e cila do të mbahet si një manifestim paqësor, ka për qëllim të kundërshtojë padrejtësitë ndaj krerëve të UÇK-së, të cilët aktualisht po gjykohen në Hagë

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments