Nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup njoftojnë se pas përfundimit të procedurës për sigurimin e provave, është ngritur aktakuzë kundër gjithsej dhjetë personave të dyshuar se kanë marrë pjesë në kontrabandë me vetura luksoze, si dhe në falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe gjësendeve të tjera, përcjell TV21. Nga hetuesia thonë se i dyshuari i 11-të është shtetas i Greqisë, procedura për të cilin do të vazhdojë në Greqi.
“Gjatë viteve 2021 dhe 2022, duke përdorur dokumente false dhe numra shasie false, ata kanë futur në vendin tonë vetura të cilat ishin lëndë e kërkimit ndërkombëtar, si dhe vetura që në mënyrë tjetër shmangnin kontrollin doganor. Dy nga të akuzuarit janë zyrtarë – referentë nga Departamenti për Çështje Administrative në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilët kanë lehtësuar procedurën për regjistrimin e automjeteve në vend, edhe pse e dinin se ato ishin të kontrabanduara. Disa nga automjetet ata ia kanë shitur disa herë njëri-tjetrit, për të mbuluar kontrabandën dhe më pas i janë shitur përdoruesve përfundimtar. Në këto aktivitete është përfshirë edhe i dyshuari i 11-të, shtetas i Republikës së Greqisë, për të cilin ndjekja penale do t’i kalojë autoriteteve greke. Së bashku me aktakuzën e dorëzuar, prokurori publik kompetent në Gjykatë ka dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paracaktuar të paraburgimit për katër nga të akuzuarit. Një person është në kërkim me fletarrestim ndërkombëtar tashmë të lëshuar për shkak të përfshirjes së tij në një rast tjetër të ngjashëm me kontrabandë të automjeteve luksoze, të cilin e udhëhiqte Prokuroria Themelore Publike në Shkup. Masat e sigurimit janë në fuqi për një të akuzuar”, thonë nga Prokuroria.