Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar sot një urdhër për fillimin e një hetimi kundër ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, dhe drejtorit të Lotarisë, një kuadër i BDI-së, të cilët dyshohen se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Shpërdorim në detyrë” sipas nenit 354 të Kodit Penal.
Ata akuzohen për keqpërdorimin e 8.2 milionë eurove nga fondet shtetërore. Në njoftimin e PatHP Shkup, nuk përmendet se Grubi ose ndonjëri nga tetë të dyshuarit deri më tani se janë arrestuar.
Në konferencën e pasdites, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i bëri thirrje Artan Grubit të kthehet nga udhëtimi privat në Kosovë.
Për katër persona të tjerë është iniciuar procedurë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” sipas nenit 353, paragrafi 5, në lidhje me paragrafët 4 dhe 1 të Kodit Penal. Ata janë anëtarë të komisionit për prokurime publike të “Lotarisë”.
Bazuar në kallëzimet penale nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Drejtoria e Policisë Financiare, është zhvilluar një procedurë paraprake gjatë së cilës janë ndërmarrë disa veprime hetimore. Sot në mëngjes, bazuar në urdhra gjyqësorë, janë kryer bastisje në nëntë lokacione në Shkup dhe rajonin e Kumanovës për të siguruar prova për nevojat e hetimit. Bastisjet u realizuan nga zyrtarët e MPB-së, nën drejtimin e prokurorëve publikë kompetentë.
Artan Grubi ka drejtuar mbledhjen në cilësinë e Kuvendit të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria e Shtetit” të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke marrë vendime në vend të bordit drejtues dhe bordit mbikëqyrës të “Lotarisë”.
Nga provat e mbledhura, ka një dyshim të arsyeshëm se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në SH.A. Shoqëria për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria e Shtetit” të RMV, gjatë vitit 2023, përmes ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tyre, kanë marrë pjesë në veprime që kanë shkaktuar dëm në shoqërinë aksionare, me qëllim që të siguronin përfitime të paligjshme për një person tjetër, që vlerësohen në një shumël të konsiderueshme prej 501.319.119 denarë nga buxheti i shoqërisë aksionare. I dyshuari i parë ka kryer veprën në cilësinë e presidentit të Bordit Drejtues – Drejtor i Përgjithshëm i “Lotarisë së Shtetit”, ndërsa i dyshuari i dytë ka kryer veprime në cilësinë e personit përgjegjës – kryesues i një mbledhjeje të Qeverisë, e mbajtur në cilësinë e Kuvendit të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria e Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftoi Prokuroria e Shkupit.
Katër të dyshuarit e tjerë kanë qenë president dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje publike të ndara, për të cilat ka dyshime se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre dhe kanë realizuar thirrjet publike, megjithëse kanë ditur se një procedurë e tillë nuk duhej të ishte realizuar në rastet e caktuara, pasi nuk ishin plotësuar kushtet ligjore. Prokuroria më vonë ka paralajmëruar informacione më të detajuara dhe një përshkrim të veprave penale të të dyshuarve.