Prokuroria e Posaçme në Shqipëri (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për pastrimin e 18.4 milionë eurove.
Mes të akuzuarve, është edhe biznesmeni i njohur, Rezart Taçi.
Taçi së bashku me shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo, si dhe italianët Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundërligjshme.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.
Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18.4 milionë euro, të bllokuara në një llogari bankare në një bankë të nivelit dytë në Shqipëri. /Euronews Albania/