Prof.Dr Mersim Maksuti, anëtar i grupit punues rreth Ligjit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, sot ka publikuar një raport me vërejtjet rreth ligjit të propozuar, që tashmë është miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
“Vërejtja ime bazë është se ky, Propozim Ligj, me gjithë mangësitë që ka, nuk ofron garancë për zbatimin e tij efektiv në praktikë, ngase kjo çështje është lënë vetëm në vullnetin politik të një Trupi Koordinativ pranë Qeverisë së RMV-së, i cili do të ndjek dhe analizojë gjendjen në raport me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik”, shkruan Maksuti, duke shtuar se ky “ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zv.kryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së”.
Maksuti theksoi se ky Trup nuk ka juridiksion të mbikëqyrë apo kontrollon organet kompetente për zbatim të këtij Ligji.
“Ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zv.kryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së (por nga njëri nga zëvendës kryeministrat) dhe se nuk ka juridiksion të mbikëqyrë apo kontrollojë organet kompetente për zbatim të këtij Ligji, dhe as të propozojë masa përpara Qeverisë së RMV-së për thirrjen në përgjegjësi politike ndaj bartësve të institucioneve publike, për mos zbatim të këtij Ligji”, sqaroi Maksuti.
Ai theksoi se këto vërejtje janë paraqitur gjatë grupit punues, por nuk janë përfshirë në përmbajtjen e tij.
“Realizimi i tij, paraqitet në formë të kushtëzuar dhe të kufizuar, nëpërmjet respektimit të parimit të barazisë, profesionalizmit, kompetencës dhe inkluzivitetit. Kjo lë hapësirë që në konkurset publike për punësime dhe avancime të qytetarëve në emër të profesionalizmit të mos pranohet askush si pjesëtarë i një bashkësie etnike më pak të përfaqësuar”, duke e numëruar si vërejtje të dytë.
Vërejtja e tretë, sipas Maksutit, ka të bëjë në lidhje me atë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese po ndikojnë në përpilimin e ligjeve dhe funksionimin e Kuvendit, duke e vlerësuar se kushtetuesja është shndërruar në legjistlativ.
“E treta, Ky Propozim Ligj, duket se është mjaft padrejtësisht i ndikuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilën vlerëson si antikushtetues të drejtën e deklarimit të detyrueshëm të përkatësisë etnike të kandidatëve në kuotat e parapara në konkurset publike (i referohet Metodologjisë së punësimit e njohur si balansuesi)”, deklaroi Maksuti.
Në reagimin e tij, ai vlerësoi se ky propozim-ligj nuk do të ketë efekte juridike të dëshiruara, pasi do të ketë mungesë të sanksioneve juridike ndaj zyrtarëve publik.
“E katërta, Propozim Ligjit në fjalë, i mungon komponenta shumë e rëndësishme mbrojtja juridike e tij, që nënkupton në radhë të parë, parashikimin e sanksioneve juridike kundërvajtëse ndaj zyrtarëve publikë që janë kompetentë për zbatimin e këtij Ligji si dhe mbrojtjen gjyqësore të tij”, deklaroi Maksuti.