5.7 C
Tetovo
E shtunë, 28 Mars, 2026
BallinaOpinionProf.Dr.Jeton Shasivari / Nisma ligjore e Avokatit të Popullit – thyerje e...

Prof.Dr.Jeton Shasivari / Nisma ligjore e Avokatit të Popullit – thyerje e monopolit 35 vjeçar

Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Nisma ligjore e Avokatit të Popullit z. Selami dërguar Qeverisë për plotësime ligjore që do të mundësonin dhënien e provimit të jurisprudencës, të noterisë dhe të përmbaruesit edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj shënon përpjekjen e parë kushtetuese, ligjore dhe institucionale në historinë 35-së vjeçare të Maqedonisë së pavarur për t’i dhënë fund monopolit 35-së vjeçar njëgjuhësor në këtë lëmi, kur dihet mirëfilli se këto provime profesionale gjatë këtyre 35-së viteve që nga pavarësia e Maqedonisë në v. 1991 jepen vetëm në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin e saj.

Ky veprim ligjor historik i Avokatit të Popullit është në përputhje të plotë me standardet kushtetuese dhe ligjore të përdorimit të gjuhëve dhe me parimin kushtetues të barazisë së qytetarëve para kushtetutës dhe ligjeve sepse moslejimi i një kandidati nga përdorimi i një gjuhe zyrtare për një provim shtetëror profesional paraqet një formë të diskriminimit të tërthortë mbi baza gjuhësore.

Ky veprim ligjor historik i Avokatit të Popullit është gjithashtu në përputhje të plotë edhe me standardet ndërkombëtare dhe evropiane të të drejtave gjuhësore, të mosdiskriminimit dhe të qeverisjes së mirë të cilët sigurojnë që profesionet juridike të pasqyrojnë karakterin shumëetnik të shtetit, por edhe me Kriteret e Kopenhagës sepse Komisioni Evropian e monitoron zbatimin e Ligjit të përdorimit të gjuhëve si shumë të rëndësishëm për kohezionin ndëretnik, social dhe mosdiskriminimin.
Nisma ligjore e Avokatit të Popullit është gjithashtu në përputhje të plotë edhe me standardet ndërkombëtare dhe evropiane të Këshillit të Evropës sipas të cilëve këto çështje bien nën mandatin mbrojtës të Avokatit të Popullit duke vepruar si mbrojtës i të drejtave themelore të njeriut me promovimin e qasjes shumëgjuhësore në profesionet e rregulluara nga shteti dhe të barazisë profesionale me heqjen e barrierave gjuhësore që dekurajojnë ose pengojnë kandidatët e kualifikuar t’ju shtrohen këtyre provimeve profesionale.

Esenca e nismës ligjore të Avokatit të Popullit është sigurimi i konsistencës ligjore duke harmonizuar ligjet sektoriale me Ligjin e përdorimit të gjuhëve, me çrast Avokati i Popullit me këtë nismë i bëri edhe kontrollin e duhur zbatimit të ligjeve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë prandaj, në bazë të rezultatit të atij kontrolli, Qeverisë ia paraqiti këtë nismë për plotësime ligjore duke mbrojtur kështu të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve.

Nisma ligjore udhëhiqet nga qasja profesionale juridike, me çrast Avokati i Popullit në tërësi i shmanget politizimit, moralizimit dhe filozofimit të kësaj çështjeje, sidomos dështimi i Ligjit të përdorimit të gjuhëve në organet e drejtësisë sepse tashmë 7-të vite nga hyrja e tij në fuqi, zbatimi i këtij ligji në gjyqësi dhe në prokurori publike në praktikë është 0% edhe përkundër gjobave të larta 4000-5000 EUR për çdo shkelje të tij.

Nisma ligjore me propozimin që këto provime të jepen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, ndërsa për kandidatët që flasin gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kërkesën e tyre, edhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj, promovon një qasje funksionale, racionale dhe inkluzive duke parandaluar barriera të reja gjuhësore për ato kandidatë shqiptarë që flasin gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në RMV e që studimet themelore juridike dhe ato të magjistraturës (ose vetëm njërin cikël studimor) nuk i kryejnë në gjuhën amtare shqipe por, në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj duke respektuar kështu gjuhën e arsimimit juridik të këtyre kandidatëve shqiptarë në cilindo cikël studimor por, edhe duke ekuilibruar sipas standardit ndërkombëtar të proporcionalitetit gjuhën e studimeve me gjuhën e kandidatit duke siguruar kështu, edhe qëllimin kryesor të këtyre tre provimeve profesionale që testojnë njohuritë juridike e jo njohuritë gjuhësore apo shkathtësitë e përkthimit gjuhësor.

Nisma ligjore e Avokatit të Popullit është në rrugën e duhur që të detyrojë Qeverinë për të zhbllokuar këto tri provime në gjuhën shqipe.

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments