Nga Arsim Sinani
Viti 2001 shënoi një moment të veçantë në historinë e Maqedonisë, duke sjellë një burim të pastër shprese për barazinë e lirinë. Ky burim, që shpërtheu nga zemra e popullit, ofroi mundësi për qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm, duke thyer muret e padrejtësisë dhe duke sjellë ujë të freskët në fushën e tharë të barazisë. Nga ky burim pinë të gjithë: luftëtarët, të rinjtë, gratë e fshatrave dhe qytetarët e lodhur nga një jetë në hije, duke përjetuar shijen e lirisë dhe dinjitetit.
Keqpërdorimet dhe roli i politikanëve
Megjithatë, pas disa vitesh, mbi këtë burim u shfaqën duar që nuk dinin dhe nuk donin ta ruanin, por vetëm ti transformonin këto ideale për përfitime personale. Uji i pastër u fut në enë private, u shitej shqiptarëve me çmim të lartë dhe pellgu filloi të turbullohej. Retorika e idealeve mbeti si një shishe e zbrazët mbi tryezë, pa asnjë pikë freskie brenda saj. Lufta për liri u shndërrua në betejë për grumbullim pasurish, ku ata që dikur mbanin flamurin e lirisë, sot mbajnë çelësat e idealeve në jastëqet e mbushura me para, nga përfitimet.
Marrëveshja e Ohrit dhe boshllëqet e saj
Marrëveshja e Ohrit, e menduar si një instrument drejtësie dhe barazie, u keqpërdor dhe la boshllëqe të dukshme në strukturat shtetërore:
1. Moszgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët dhanë jetën për ideal, mbetën pa njohje dhe mbështetje reale.
2. Elementet etnocentriste të Kushtetutës, që favorizojnë një grup mbi tjetrin.
3. Ndarja e padefinuar e pushtetit, duke krijuar mundësi manipulimi dhe abuzimi nga politikanët.
4. Mekanizmat neo-jugosllave (sërbe), e përjashtojnë dhe refuzojnë idenë shqiptare dhe rinë gati në ruajtjen e hierarkive të vjetra.
5. Refuzimi estetik i bashkëpunimit me shqiptarët, që tregon se integrimi nuk shihet si vlerë, por si nevojë të detyruar.
6. Keqpërdorimi i shtetit për interes të etninë maqedone, duke thelluar fragmentimin dhe mosbesimin.
7.Loja me kënaqjen e egove personale për ta ndalu zhvillimin dhe të qenit themeltar shqiptarët, të Maqedonisë veriore, nuk po kuptohet nga politikanët shqiptar, fatkeqësisht.
Mbi këto premisa vështirë se Maqedonia mund të ec drejt rrugës së Perëndimit
Dhe them se
Nga kjo analizë lind nevoja për një brez të ri që mund të shkojë drejt marrëveshjes historike dhe ta drejtojnë Maqedoninë bashkarisht, me vizion të qartë dhe përgjegjësi të ndershme.
Shqiptarët janë gati, por u duhen figura të dijshme dhe të paanshme.
Maqedonasve u duhet vetëdijesimi i brezit dhe guximi për të ndarë të mirat e shtetit pa hile, duke kuptuar se barazia nuk është kërcënim, por mundësi për zhvillim të përbashkët.
Dhe së fundmi
Një shtet që nuk ngritet mbi parime të barazisë reale, llogaridhënies, drejtësisë dhe bashkëpunimit të sinqertë do të vazhdojë të reciklojë mbeturina dhe probleme të së kaluarës, duke i transmetuar brez pas brezi.
E ardhmja kërkon guxim, integritet dhe vizion; çdo vonesë ose kompromis i gabuar është kosto që paguhet nga qytetarët dhe historia. Aty ku shqiptarët nuk janë themeltar do kemi ngecje ku humbin të gjithë, e më së shumti maqedonasit pasi koha e shtypjes ka kaluar dhe u bën keq atyre dhe gjithë Maqedonisë Veriore.