7 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmePrishtinë/Konsultimet për datën e zgjedhjeve, opozita kërkon të mbahen me 26 janar...

Prishtinë/Konsultimet për datën e zgjedhjeve, opozita kërkon të mbahen me 26 janar – çka u tha pas takimit?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i filloi të mërkurën konsultimet me partitë politike në vend për të arritur një marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit në Prishtinë, Osmani tha se gjatë takimit me krerët e partive politike parlamentare – ku munguan ai i partisë në pushtet Vetëvendosje dhe ai i Listës Serbe – janë pajtuar që të bëhet analizimi i të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve.

Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.

Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt.

Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca… Disa parti preferuan 26 janarin, tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe, kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani.

Presidentja Osmani tha se aktualisht janë brenda afatit të konsultimeve për caktimin e datës për zgjedhje.

“Mirëpo, nga data 26 korrik e tutje, presidentja fiton të drejtën edhe ta bëjë shpalljen e zgjedhjeve, kështu që afatet veçse ekzistojnë”, theksoi ajo.

Në takimin konsultativ të thirrur nga Osmani, nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as ata të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

E pyetur për mospjesëmarrjen e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin konsultativ, presidentja Osmani tha se nuk i di arsyet.

“Të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjuca, shprehu gatishmëri të vijë sot në takim. Mirëpo, meqë krejt partitë ishin të njoftuara se ky takim konsultativ është vetëm për nivel kryetarësh, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai e zbatoi me mirëkuptim. Kryetari i LVV-së nuk ka qenë në takim. Ne nuk i dimë arsyet. Mund ta pyesni atë drejtpërdrejt. Mund të shkoni në zyrën e tij dhe ta pyesni”, u shpreh Osmani.

Kabineti i Kurtit njoftoi sot se Kurti mori pjesë si mysafir nderi në drekën e ftuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me ambasadorë të akredituar të vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate për Bashkim Evropian në Kosovë.

Ndërkohë, Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik nga Prishtina, tha për Radion Evropa e Lirë se mospjesëmarrja e Kurtit në takim mund të interpretohet si “një gjest simbolik në kontekstin e tensioneve aktuale mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti”.

“Sigurisht që lidhet me marrëdhëniet e pushtetit dhe prandaj Kurti dëshiron të tregojë publikisht se ai – dhe jo Osmani – është ai që dikton procese të rëndësishme politike në Kosovë”, tha ai.

Partitë opozitare kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.

Kreu i subjektit më të madh opozitar Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, tha se partia e tij është gati për zgjedhje në çfarëdo date.

“Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajën që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shpreson që presidentja Osmani do ta shpallë 26 janarin datë të zgjedhjeve të reja.

“Shpresoj që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 janar”, shkroi ai në Facebook.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje, përmes shpërndarjes së Kuvendit, Osmani tha se kjo mundësi “ligjërisht ende ekziston”.

“Megjithatë, shpërndarja e Kuvendit kërkon dy të tretat e votave e më shumë dhe se a kanë gatishmëri partitë politike në Kuvend ta bëjnë një shumicë të tillë, është çështje e tyre. Sot nuk u duk një gatishmëri e tillë”, tha ajo.

Kur do të mund të mbahen zgjedhjet?

Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, mandati i Kuvendit përfundon 30 ditë para periudhës 4-vjeçare prej konstituimit të tij.

“Rrjedhimisht, presidentja ka një afat që sipas ligjit përcaktohet të jetë jo më herët se 60 dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit që nënkupton se presidentja aktualisht ka vetëm katër data që mund t’ua ofrojë subjekteve politike si data kur mund të ketë zgjedhje të rregullta”, tha Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

“Këto përfshijnë 26 janarin, 2, 9 dhe 16 shkurtin. Pra, këto janë datat e vetme kur në Kosovë mund të ketë zgjedhje të rregullta parlamentare derisa çdo datë jashtë këtyre, respektivisht më herët se këto, paraqesin zgjedhje të parakohshme”, shtoi ai.

Cakolli tha se presidentja ka afat deri në mesin e muajit tetor që të caktojë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, por duke pasur parasysh reformën zgjedhore, ajo mund të dojë që data të caktohet më herët, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë më shumë kohë që t’i përgatisë votimet.

Po ashtu, sipas tij, nuk është në interesin e asnjërit subjekt politik që zgjedhjet të mbahen në janar apo shkurt, kur moti është i ftohtë dhe ditët janë më të shkurtra.

“Prandaj, edhe mund të gjendet ndonjë modalitet për t’i mbajtur zgjedhjet edhe më herët, por kjo varet kryekëput nga arritja e një dakordimi”, tha Cakolli.

Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Ky opsion u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria Kurti të japë dorëheqje apo të shkarkohet. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Duke pasur për bazë këto qëndrime të partive opozitare, Cakolli tha se do të jetë “e vështirë” që njëra nga partitë opozitare të tërhiqet nga qëndrimet rreth mënyrës se si mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments