Ankesa për kufizime të aktiviteteve për shënimin e festave të nëntorit në shkollën “Zhivko Brajkovski” në komunën e Butelit. Një pjesë prindërve pa dashur të flasin para kamerave kanë akuzuar se nxënësve iu ndalua pika ku duhej të prezantoheshin me veshje kombëtare. Ka reaguar edhe dega e BDI-së në Butel. Akuzon se vendimi është diskriminues, madje kërkon masa ndaj drejtoreshës.
“Dega e BDI-së në Butel shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për vendimin absurd dhe të papranueshëm të drejtoreshës së shkollës fillore “Zhivko Brajkovski”, e cila ka ndërprerë aktivitetin e nxënësve për festat e Nëntorit, pavarësisht se fëmijët kishin më shumë se një muaj që ushtronin dhe përgatiteshin me përkushtim. Arsyetimi i drejtoreshës, sipas të cilës aktiviteti ndalohet për shkak të veshjes kombëtare shqiptare, është skandaloz dhe diskriminues. Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm dhe një qasje të papranueshme ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve në komunën tonë”, thonë nga BDI, Dega Butel.
Magdica Peeva, drejtoreshë e shkollës fillore “Zhivko Brajkovski” në Butel i hedh poshtë akuzat. Sipas saj programi i sotëm është realizuar në bazë të marrëveshjes paraprake me mësimdhënësit e ciklit të ulët fillor për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip. Peeva këmbëngul se pika me motive kombëtare nuk është ndaluar por është shtyrë për Ditën e Flamurit ose patronatin e shkollës.
“Sot marrëveshja ishte të përgatitej një shfaqje për nder të Alfabetit Shqip, të ishte e përshtatshme për moshën e fëmijëve që performojnë shfaqjen, nga klasa 1 deri në 5, të ishte fëmijërore, të këndohej së bashku në lidhje me arsimin dhe edukimin dhe ne i përmbaheshim absolutisht këtij skenari dhe kësaj marrëveshjeje në lidhje me shfaqjen. Unë thash, në rregull, le të qëndrojë pika kombëtare, do ta përdorim qoftë për patronatin apo për Ditën e Flamurit Shqiptar, por do të biem dakord për të ardhmen dhe kjo është thjesht e gjithë e vërteta”, u shpreh Magdica Peeva, drejtore e sh.f “Zhivko Brajkovski” Butel.
E premtja e ardhshme është Dita e Flamurit, a do të lejoni që flamuri shqiptar të jetë në shkollë dhe nëse ka aktivitete për këtë ngjarje?
“Kushdo që dëshiron të shohë nëse kjo është e vërtetë apo jo, mund të hapë lirisht faqen e Facebook-ut ose Instagram-it të shkollës “Zivko Brajkovski”, të shfletojë aktivitetet dhe të shohë nëse aktivitete të tilla lejohen apo jo të zbatohen brenda shkollës”.
Një ngjarje e ngjashme është paralajmëruar edhe për shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko” të komunës së Butelit. Pas zërave për kufizime të ngjashme edhe në këtë shkollë ka reaguar drejtoresha Mevlide Kryeziu duke thënë se informacionet janë të pavërteta dhe se nuk ka ndalesë të veshjeve tradicionale për shënimin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit. /Alsat.mk
