Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka dënuar sulmin e njw grupi terrorist në veri të Kosovës ku një polic mbeti i vrarë dhe dy tjerë të plagosur.
Ai ka thënë se ky është akt i organizuar kriminal për cenim të sigurisë në Kosovë.
“Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”- ka shkruar Begaj.
Tutje, Begaj i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu ka theksuar se nevojitet qetësi e bashkëpunim me KFOR-in dhe aleatët.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”- është shprehru Begaj.