Në një konferencë për shtyp, Biden tha përpara gazetarëve se nuk e di nëse do të udhëtojë drejt Kievit për të takuar Zelensky-n.
“Përgjigja është, nuk e di. Kam qenë shumë herë në Ukrainë, por nuk kam udhëtuar gjatë kohëve të fundit. Unë jam i vetmi që kam komunikuar më shumë se dy herë me deputetët në Parlamentin ukrainas” – u shpreh Biden.
Edhe Shtëpia e Bardhë disa ditë më parë njoftoi se nuk është e sigurt një udhëtim drejt Ukrainës.
“Nëse dikush do të dëshironte të udhëtonte drejt Ukrainës, ne nuk do e bënim të ditur kaq hapur për çështje sigurie” – tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Të enjten e kaluar, Biden tha se ai ishte ende duke punuar me ekipin e tij për të përcaktuar nëse ai duhet të dërgojë një anëtar të lartë të administratës së tij në Ukrainë.
Që kur forcat ruse u tërhoqën nga rajoni përreth Kievit, një numër liderësh perëndimorë kanë shkuar në kryeqytetin ukrainas për të demonstruar mbështetje.
Kryeministri britanik Boris Johnson bëri një vizitë të papritur në Kiev në fillim të këtij muaji.