Prej sot fillon aplikimi për pakon e dytë të kredive pa interes përmes Bankës për Zhvillim në vlerë prej tetë milion euro.
Thirrja është dedikuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në të gjitha industritë, ndërsa një nga kushtet është që kompanitë të kenë një rënie të të ardhurave prej 30 për qind. Kreditë janë pa interes me afat për shlyerje deri në tre vjet dhe grejs periudhë prej 12 muaj. Shpenzimet ndaj Bankës për Zhvillim janë ulur në zero. Shuma minimale e kredisë është 3,000
euro, ndërsa shuma maksimale është 90,000 euro. Shuma do të përcaktohet në bazë të numrit të punonjësve që ka pasur ndërmarrja deri më 31 janar, në mënyrë që paga minimale të shumëzohet me numrin e të punësuarve dhe me tre muaj.
Aplikimi do të jetë elektronik, ndërsa dokumentacioni për “Kovid 2” është pothuajse i njëjtë si për pakon e parë “Kovid 1”. Një rrethanë lehtësuese është se dokumentet e nevojshme nga Regjistri Qendror do të lëshohen falas. Fondet për këtë pako janë siguruar përmes Fondit të kompensimit të Japonisë.
Sipas kompetentëve, ky është një injeksion i rëndësishëm financiar për kompanitë për ta ruajtur likuiditetin dhe vendet e punës.
Përveç kësaj pakoje, në dispozicion të kompanive janë edhe kreditë pa interes në vlerë prej 5.7 milion euro nga pako e parë “Kovid 1” e cila është e destinuar për sektorët më të prekur – turizmin, hotelerinë dhe transportin. Shuma totale e fondeve në dispozicion të kompanive me të dy thirrjet është 13.7 milion euro. Për më tepër, kompanitë kanë në dispozicion edhe rreth 50
milion euro përmes bankave tregtare.