Në një kohë kur pjesëtarët e forcave të armatosura ruse dhe ukrainase po përleshen në të gjithë Ukrainën, policia ukrainase u kërkon qytetarëve që të raportojnë persona të dyshimtë në rrugë, veçanërisht personat, rrobat e të cilëve kanë elemente të kuqe në to.
Policia ukrainase njoftoi në faqen e saj në Facebook se kishte intensifikuar aktivitetet në lidhje me sigurimin e qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës për shkak të agresionit rus.
Policia udhëzoi personat që të monitorojnë me vëmendje lëvizjet në afërsi dhe t’u kushtojnë vëmendje të veçantë personave dhe objekteve të dyshimta.
Qytetarët që dallojnë persona të dyshimtë me element të kuq në rroba, duhet të denoncojnë menjëherë në polici.
Gjithashtu, policia paralajmëroi banorët e Ukrainës që të mos dalin në rrugë me veshje me motive ushtarake dhe uniforma.
Drejtuesit e policisë u kanë kërkuar më herët qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe t’u besojnë vetëm burimeve zyrtare të informacionit.