Duke nisur nga 1 nëntori, pronarë të automjeteve me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, kanë njoftuar të premten në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut.Ky vendim pritet që t’i prekë veçanërisht pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët shpesh kanë përdorur automjete me targa të lëshuara nga Serbia.
Një pjesë e qytetarëve, pas vendimit të Qeverisë për t’i ndaluar targat serbe me akronime të qyteteve të Kosovës – si KM (Mitrovica e Kosovës), PR (Prishtina) e të ngjashme e të cilat janë lëshuar nga Serbia – i kanë riregjistruar automjetet në ndonjë qytet të Serbisë dhe kanë qarkulluar me autorizim.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, ka thënë se një veprim i tillë nuk do të lejohet më, pasi që është në kundërshtim me ligjin.“Nuk do të mund të qarkullojnë më makinat nga Serbia vetëm me autorizim”, ka theksuar ai, teksa ka sqaruar se vendimi vlen për ata që kanë përdorur automjete të tilla me dokumente kosovare.
Në Serbi, autorizimet për automjete lëshohen në bazë të letërnjoftimit dhe lejes së qarkullimit.
Në praktikë, kjo do të thotë se serbët e Kosovës, të cilët nuk e kanë ndryshuar vendbanimin në sistemin serb dhe qarkullojnë me targa të një qyteti në Serbi, figurojnë në autorizim me të dhënat e letërnjoftimit të lëshuar nga organet e Serbisë për qytetet në Kosovë, dokumente këto që autoritetet në Kosovë nuk i njohin.Elshani ka kujtuar se edhe vitin e shkuar, Ministria e Punëve të Brendshme e ka trajtuar këtë problem dhe se tani zgjidhja është që shtetasit e Kosovës me vetura me targa serbe t’i riregjistrojnë ato me targa të Kosovës – RKS.
Ndërkaq, shtetasit me dokumente serbe do të duhet të largohen nga Kosova çdo tre muaj.
“Duhet të regjistrohet hyrja në kufi, kështu e parasheh ligji”, ka theksuar Elshani, teksa ka shtuar se gjoba për mosrespektim të vendimit do të jetë 200 euro dhe do të vlejë për të gjithë, përveç për raste të veçanta që mund të aplikohen për institucione të caktuara.Si shembull përjashtimi, Elshani ka përmendur automjetet e urgjencës të institucioneve shëndetësore, të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë në Kosovë.
“Do të shohim nëse do të gjendet ndonjë zgjidhje për to”, ka thënë ai.
Ndërrimi i targave serbe me ato kosovare ka qenë një prej çështjeve më të ndjeshme që ka shkaktuar tensione në veriun e banuar kryesisht me serbë. Për këtë arsye, pjesëtarë të komunitetit serb, me nismën e Listës Serbe, i patën braktisur institucionet e Kosovës në veri. (REL)