9.7 C
Tetovo
E martë, 15 Prill, 2025
BallinaLajmePolicia konstaton parregullsi të shumta në një fabrikë për prodhimin e kanabisit...

Policia konstaton parregullsi të shumta në një fabrikë për prodhimin e kanabisit në Gostivar

Zyrtarët policorë javën e kaluar kanë konstatuar parregullsi të rënda në një fabrikë në Gostivar e cila është e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për prodhim të kanabisit për qëllime mjekësore. Policia ka arrestuar pronarin dhe një të punësuar, pasi janë konstatuar një sërë shkeljesh të procedurave për rritjen dhe mbikëqyrjen e kanabisit të cilat janë shumë rigoroze dhe strikte. Gjithashtu, autoritetet, kanë gjetur nëntë fuçi të mbushura me lule të thata të kanabisit, për të cilat fabrika nuk posedon kurrfarë dokumentacioni. Dyshimet janë se kanabisi ka qenë i destinuar për tregun ilegal.“Punonjësit policorë, në bashkëveprim me Komisionin për Vlerësimin e përmbushjes së kushteve sa i përket hapësirës, pajisjes dhe kuadrit për marrjen e pëlqimit për rritjen e kanabisit për qëllime mjekësore, në Ministrinë e Shëndetësisë pas urdhrit paraprak të Gjykatës së Gostivarit, kryen bastisje dhe kontroll të jashtëzakonshëm te personi juridik i cili ka pëlqim për rritjen e kanabisit për qëllime mjekësore, pronë e A.K. 52 vjeçar nga Republika e Shqipërisë dhe A.R. nga Bosnjë- Hercegovina. Bastisja dhe kontrolli i objektit është kryer në prani të pronarit A.K. dhe të punësuar XH.I, 29 vjeçar nga Republika e Sllovenisë, me vendbanim të përhershëm në Sedllarcë të Epërme të Tetovës më çka janë konstatuar parregullsi lidhur me procesin e kultivimit të bimës kanabis, që është në kundërshtim me Ligjin për Kontrollin e drogave, për çka ekziston dyshimi se prodhimi i kanabisit ka qenë i destinuar për tregun jolegal”, thonë nga MPB.Policia, ka paralajmëruar kallëzime përkatëse penale për personat e përfshirë. Sipas ligjeve ekzistuese në fuqi, krahas ndjekjes penale, kompanisë në fjalë menjëherë duhet t’i merret licenca. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur me kompaninë nga Gostivari, tek e cila rreth një vit e gjysmë më parë mësohet se janë konstatuar gjithashtu shkelje të rënda. Asokohe, autoritetet kishin kontrolluar edhe në lokacione tjera dhe te të gjitha kishin konstatuar se nuk u përmbahen rregullave.

Edhe asokohe, Policia publikoi disa video nga kontrollet, në të cilat shihej se si kanabisi është kultivuar sikur të ishte shalqi, në ambient të hapur pa gardh të lartë e me gjemba. Gjithashtu, janë gjetur edhe sasi të luleve të thata të kanabisit të cilat nuk ishin regjistruar. Megjithatë, mbetet e paqartë pse që atëherë nuk i është marrë licenca, por ka vazhduar sërish me kultivimin e kanabisit.

Nga vitin 2016, prej kur u bë legalizimi i prodhimit të vajit mjekësor kanabis janë ndarë leje për funksionimin e rreth 70 kompanive private dhe sipas analizave, thuajse shumica e tyre nuk u janë përmbajtur rregullave ligjore dhe kanë bërë keqpërdorime të mëdha. Ato kryesisht kanë të bëjnë me dhënien e licencave dhe me ridestinimin e kanabisit legal në tregun e zi. Sipas analizës së Organizatës Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, në Ballkanin Perëndimor ekziston kërkesë stabile, por e kufizuar për prodhimin e produkteve mjekësore nga kanabisit, por në rajon ekziston edhe treg jolegal për lulet e thata të kanabisit. Në fakt, sipas analizës, kanabisi është droga më e konsumuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Maqedonia e Veriut është qendra kryesore tranzituese për tregtinë e kanabisit, i prodhuar në Shqipëri. Ekziston shqetësimi se një pjesë e tregut për kanabisin ilegal po furnizohet nga kompani me licenca për të kultivuar kanabis në mënyrë të ligjshme për përdorim mjekësor. Sipas ligjit aktual për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope, kanabisi i rritur në Maqedoninë e Veriut që nuk përdoret për qëllime mjekësore nuk mund të eksportohet. Megjithatë, duket se në shumë raste më shumë kanabis kultivohet nga kompani të licencuara sesa nevojitet për eksport të ligjshëm. Oferta e tepërt e një produkti të rritur ligjërisht për të cilin ekziston një treg i madh i zi krijon rreziqe të dukshme. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments