8.8 C
Tetovo
E diel, 25 Maj, 2025
BallinaLajmeBotaPolicia federale Zvicerane: Jemi në shënjestër të mafias ballkanike, të përfshirë edhe...

Policia federale Zvicerane: Jemi në shënjestër të mafias ballkanike, të përfshirë edhe grupe shqiptare

Shefja e re e Policisë Federale të Zvicrës, Eva Wildi-Cortes, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përshkallëzimin e dhunës dhe praninë në rritje të grupeve të krimit të organizuar në Zvicër, përfshirë edhe rrjete kriminale nga Ballkani.

Në një intervistë për gazetën zvicerane “NZZ am Sonntag”, Wildi-Cortes deklaroi se në territorin zviceran janë aktive organizata kriminale nga Shqipëria, të cilat janë përfshirë në aktivitete të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Ajo theksoi në veçanti një rrjet droge që sipas saj drejtohet nga mafia kosovaro-shqiptare.

“Bëhet fjalë për organizatën e njohur italiane ’Ndrangheta’, e cila përdor Zvicrën për pastrim parash. Por edhe për organizata kriminale nga Shqipëria, të cilat janë të përfshira si në prodhimin, ashtu edhe në dërgimin e drogës; për Mocro-Mafian nga Holanda, që shpërthen bankomate; si dhe për grupe nigeriane si Black Axe, që përfitojnë miliarda përmes mashtrimeve dhe shfrytëzimit të vajzave të reja. Zvicra është shumë tërheqëse për këto grupe”, u shpreh Wildi-Cortes.

Ajo përshkroi edhe mënyrën se si funksionon zinxhiri i trafikut të kokainës në Evropë, duke përmendur një bashkëpunim mes mafies shqiptare, asaj italiane dhe Mocro-Mafias.

“Shembull: tregtia e kokainës. Importin e kokainës në Europë e kontrollon mafia shqiptare, ndërsa ky import financohet nga mafia italiane. Sapo malli mbërrin në portin e Rotterdamit, përfshihet Mocro-Mafia, që kujdeset për shpërndarjen. Më pas, kokaina përhapet nga grupet lokale në qytete si Berna apo Zyrihu. Zvicra shërben njëkohësisht si vend tranziti, pikë shpërndarjeje dhe si treg përfundimtar”, tha ajo.

Përveç aktiviteteve të drogës, Wildi-Cortes theksoi edhe mënyrat e shumta të pastrimit të parave që përdorin këto organizata.

Wildi-Cortes përmendi se përveç berberëve dhe lokaleve të shisha-së, paratë pastrohen edhe në dyqane Bubble Tea, shërbime picash dhe agjenci turistike.

“Vitin e kaluar, një agjenci udhëtimesh e specializuar për Ballkanin, në qendër të Lucernit, u bë objekt i një operacioni të madh policor. Hetuesit e monitoruan për mbi një vit dhe regjistruan 750 vizita nga persona të dyshuar si kurierë droge dhe parash. Ky rrjet i drogës drejtohej nga mafia kosovaro-shqiptare”, përfundoi Wildi-Cortes.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments