Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç mbërriti të mërkurën në Pallatin Elize në Paris, siç tha vetë, me verë dhe gota, ku u prit nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Lideri francez e ftoi mikun e tij nga Beogradi në një drekë pune ku diskutuan për bashkëpunimin dypalësh, rrugën europiane të Serbisë, situatën gjeopolitike dhe çështjet ekonomike.Vuçiç njoftoi se me Macronin nuk mendojnë njësoj, por pretendoi se qëndrimet e tij po afrohen me të Serbisë, përfshirë këtu edhe për çështjen e Kosovës.
“Unë i jam shumë mirënjohës Macron për mirëkuptimin e jashtëzakonshëm të situatës sonë dhe për thellimin e tij në të”, u shpreh presidenti serb pas takimit.Pallati Elize deri më tani nuk ka nxjerrë një deklaratë për bisedën mes liderëve. Por Vuçiç theksoi për mediat serbe se “Macron dhe ai arritën në përfundimin se bota po hyn në një epokë të trazuar, se po vijnë kohë të vështira dhe se të gjithë duhet të përgatitemi për të”.