Grupi militant Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që ka qenë në konflikt me shtetin turk për më shumë se katër dekada, ka vendosur të shpërbëhet dhe t’i japë fund kryengritjes së armatosur.
Vendimi i PKK-së pritet të ketë pasoja të gjera politike dhe të sigurisë për rajonin, përfshirë edhe për Sirinë fqinje, ku forcat kurde janë aleate të forcave amerikane.
Agjencia e lajmeve Firat publikoi atë që e quajti deklaratë përmbyllëse të një kongresi që PKK-ja mbajti javën e kaluar në veri të Irakut, si përgjigje ndaj thirrjes që bëri në shkurt udhëheqësi i burgosur kurd, Abdullah Öcalan, për shpërbërjen e grupit.
PKK-ja tha se procesi praktik i shpërbërjes dhe çarmatosjes do të menaxhohet dhe mbikëqyret nga Öcalan, i cili ndodhet në burgim në një ishull pranë Stambollit që nga viti 1999.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, e ka quajtur të hënën shpërbërjen e Partisë militante të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, një ngjarje “historike” dhe “hap jashtëzakonisht të rëndësishëm”.
Sipas deklaratës së kongresit, lufta e PKK-së “e ka sjellë çështjen kurde në pikën e zgjidhjes përmes politikës demokratike, duke përmbushur kështu misionin e saj historik”.
Grupi nuk dha detaje të mëtejshme se çfarë nënkuptohet saktësisht me këtë, por van Wilgenburg tha se është e pamundur që komandantët e PKK-së të përfshihen në politikën turke, duke qenë se ekziston tashmë një parti pro-kurde aktive në Turqi – Partia Demokratike Popullore (HDP).
“Më së shumti ka gjasa që ata nënkuptojnë se nga tani e tutje politika kurde do të zhvillohet përmes politikës ligjore dhe Parlamentit të Turqisë, jo përmes luftës guerile”, shtoi ai.
PKK-ja, e cila është shpallur organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, e nisi kryengritjen e saj në vitin 1984 me synimin fillestar për krijimin e një shteti të pavarur kurd.
Në vitet e fundit, kërkesat e saj janë zhvendosur drejt autonomisë më të madhe dhe të drejtave për kurdët brenda Turqisë.
Më shumë se 40.000 njerëz janë vrarë gjatë konfliktit që nga viti 1984, kur PKK-ja nisi kryengritjen.
Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë shpallur PKK-në organizatë terroriste.