Në pjesën kryesore dhe të përparme të objektit të ri të Muzeut të Tetovës mbishkrimi “Muzeu i Tetovës” është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase edhe pse Ligji për gjuhët e parashikon që tabela të jetë edhe në shqip. Zëvendës ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani për Portalb.mk premtoi se kjo çështje do të rregullohet shumë shpejt, tha se drejtori këtë mbishkrim e ka vendosur “sipas dëshirës së tij” ndërkaq nga kabineti ministres na thanë se nuk janë kompetent për këtë, shkruan Portalb.mk.
Muzeu i Tetovës është zhvendosur në një objekt të ri, edhe atë pranë pallatit të kulturës, gjegjësisht në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës.
Projekti i cili i ka kushtuar Ministrisë së Kulturës mijëra euro nuk e ka parë të arsyeshme që në pjesën kryesore të tij mbishkrimin ta vendosë edhe në gjuhën shqipe, edhe pse në Tetovë numri i shqiptarëve është më i lartë sesa i etnive të tjera.
Theksojmë se në hyrje të objektit, në pjesën e tabelës shpjeguese në lidhje me atë se çka është objekti në fjalë, është respektuar ligji për gjuhët, gjegjësisht shkruan në tre gjuhë.
Ministrja tha se nuk është kompetente por zëvendësi i saj, Sedat Sulejmani, premtoi zgjidhjen e kësaj çështje
Nga kabineti i ministres së Kulturës, Irena Stefoska, potencuan se ata nuk janë kompetent që të ndërmarrin masa në qoftë se ka shkelje të dispozitave ligjore të ligjit për gjuhët, na thanë të drejtohemi tek institucionet kompetente.
“Duke pasur parasysh dispozitat ligjore, ju udhëzojmë që të drejtoheni në institucionin përgjegjës e cila do të mund të ju jep përgjigje se pse nuk është vepruar sipas ligjit, gjithashtu ju inkurajojmë që të drejtoheni edhe te Agjencinë i cili ka disa kompetenca sipas ligjit për gjuhët” thanë nga kabineti i ministres Irena Stefoska.
Megjithatë, edhe pse sipas zëvendës ministrit të Kulturës, Sedat Sulejmani, nuk ka shkelje të ligjit për gjuhët pasi që tabela përshkruese është vendosur në 3 gjuhë, ai premtoi se do të intervenojë që e njëjta të bëhet edhe në pjesën e parme të objektit, për këtë tha se është në kontakt me drejtorin.
“Po, jemi informuar rreth vendosjes së tabelës vetëm në gjuhën maqedonase në pjesën e parme të Muzeut. Ky institucion në hyrjen e objektit e ka respektuar apo zbatuar ligjin për gjuhët, ku ka mbishkrim me 3 gjuhë, gjuhë maqedonase, gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze. Pra obligimi ligjor është përmbushur. Ndërsa sa i përket pjesës së parme, drejtori e ka vendosur vet sipas dëshirës së tij, dhe nuk është paraparë më herët. Jam në kontakt me drejtorin dhe shumë shpejt kjo çështje do rregullohet” tha Sedat Sulejmani, zëvendës ministër i Kulturës.
Ndryshe, vendi ku është transferuar muzeu i Tetovës është ish Shtëpia e Armatës e cila për një kohë të gjatë ka funksionuar si restorant ndërkaq vitet e fundit ishte lënë tërësisht pas dore. Më herët, muzeu i Tetovës ka qenë në lagjen e Çarshisë së Epërme.