Pjesa e dytë e autostradës Shkup-Bllacë është shumë vështirë e realizueshme, thotë Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski, i cili shton se sipas projektit momental, nga gjithsej dymbëdhjetë kilometra, gjashtë janë paraparë të jenë tunele. Sipas tij, ky projekt është paraparë të kalojë përmes maleve dhe jo siç kalon magjistralja për në Bllacë, andaj nëse e njëjta është e realizueshme, muajin e ardhshëm do të bëhet revizion i projektit, paralajmëroi ministri. Nëse nuk bëhet, atëherë do të përgatitet projekt i ri. Ministri Nikolloski njoftoi se dy kilometrat e para duhet të lëshohen në afat prej dy muajve, edhe pse për momentin të njëjtat nuk janë të lidhura askund.
“Por kanë vendosur udhëheqësia e mëparshme e NP “Rrugë Shtetërore” me në krye Ejup Rustemin, nuk e di ende pse nuk ka asnjë përgjigje logjike, të mos shkojnë përmes trasesë ekzistuese por përmes një traseje të re, trase malore. Trase e cila nga 12 kilometra, 6 kilometra janë tunele. Të cilat janë shumë vështirë për ndërtim. Nuk guxon të ndodhë e njëjta si me hekurudhën me Bullgarinë. Përskaj kësaj shumë shtrenjtë kushton projekti. Vlerësimi është se do të kushtojë diku 240 milionë euro, ose 20 milionë euro për kilometër, ngjashëm si me hekurudhën. Çështja e dytë është a mundet të realizohet nga inzhinierët”, tha ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Sa i përket Korridorit 8, për të njëjtën po punohet dhe pritet që deri në fund të vitit 2026, pjesa më e madhe e korridorit të jetë e përfunduar. Sipas Nikollovskit, Autostrada e Korridorit 8 nuk ka asnjë lidhje me pengesat që janë hasur me hekurudhën e këtij projekti.
“Mes Shkupit dhe Kumanovës ka autostradë të gatshme. Nga Kumanova, përmes Rankovcës deri në Kriva Pallankë për momentin po ndërtohet një rrugë eksprese, që paraqet një variant të autostradës, dhe e njëjta do të përfundojë deri në vitin e ri. Seriozisht po punojmë për zgjidhjen e problemeve në autostradën Ohër-Strugë-Kërçovë, të cilat pres të përfundojnë në fund të vitit 2026 siç kemi thënë, edhe pse po përballemi me probleme të mëdha”, tha ministri Nikolloski.