I pyetur për sinjalet gjithnjë e më pesimiste për marrje të datës për negociata me BE-në, partneri numër një i koalicionit qeverisës Ali Ahmeti, thotë se në mos marrshim datë në qershor, do të marrim në shtator.
“Nëse nuk ndodh në qershor do të ndodhë në shtator por është një proces shumë i rëndësishëm dhe ne duhet të punojmë në drejtim të përshpejtimit të zbatimit të standardeve që na afrojnë me BE-në, në veçanti sundimin e ligjit, luftën kundër krimit, kundër korrupsionit”, deklaroi Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Nëse vendi në qershor nuk merr datë për bisedime, deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski këkron që Zaevi, Osmani ose Dimitrov të marrin përgjegjësi politike, për një vit të humbur.
“Unë nga përvoja personale në Strasburg pashë se nuk ka disponim që Maqedonia të marrë vendim për bisedime në qershor dhe e dyta, deklaratat e komisionerit Han, i pashë edhe deklaratat e zëvendëskryeministrit Bujar Osmani janë një demant klasik i gënjeshtrës së kryeministrit Zaev i cili vjet deklaroi se kemi marrë datë për bisedime dhe tani duket se nuk kemi marrë”, u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Tani vetëm nëse përmirësohen dhe zbatohen në praktikë sundimi i së drejtës dhe reformat në administratë, sipas deputetit opozitar, mund të pritet me optimizëm nisje të negociatave gjatë kohës kur Kroacia do të udhëheqë me Presidencën e BE-së në vitin 2020.
Ditë më parë TV21, në kushte anonimati, citoi një deputet gjerman të ketë thënë se “Gjermania do të japë mbështetje për në BE, por vendim për datë të bisedimeve në qershor nuk do të ketë, sepse sipas tij, Evropa ka tema shumë më të rëndësishme”. Përkundër kësaj, qeveritarët e vendit vazhdimisht shprehen me tone optimiste për marrjen e datës, duke përsëritur qëndrimin se Maqedonia e Veriut meriton marrjen e datës për çeljen e bisedimeve.