-2.4 C
Tetovo
E hënë, 2 Shkurt, 2026
BallinaLajmePesë tonë marihuanë kapen brenda në Sërbi,mbetet një pyetje pa përgjigje:A dështuan...

Pesë tonë marihuanë kapen brenda në Sërbi,mbetet një pyetje pa përgjigje:A dështuan kufijtë shtetërorë?

www.telegrami.mk

analizë gazetareske

Kapja e pesë tonëve të marihuanës në Serbinë qendrore nuk është thjesht një aksion policor i suksesshëm. Është, para së gjithash, një dëshmi alarmante e dështimit institucional në dy shtete, me theks të veçantë në pikën më të ndjeshme: kufirin Maqedoni e Veriut–Serbi.

Sipas autoriteteve serbe, droga është përvetësuar në territorin e Maqedonisë së Veriut gjatë muajit janar dhe më pas është transportuar në Serbi. Kjo nënkupton se një kamion me rreth pesë tonë lëndë narkotike ka kaluar kufirin shtetëror pa u vërejtur, pa u ndalur dhe pa u sekuestruar. Ky fakt, në vetvete, rrëzon çdo pretendim për funksionim normal të mekanizmave të kontrollit kufitar.

Kufiri nuk është korridor privat

Pesë tonë marihuanë nuk janë sasi për trafik sporadik apo improvizim kriminal. Bëhet fjalë për një operacion të organizuar, me logjistikë, dokumentacion, mbulim dhe kohë të saktë kalimi. Një ngarkesë e tillë nuk kalon kufirin pa bashkëpunim nga brenda, qoftë përmes korrupsionit aktiv, neglizhencës së qëllimshme apo mbrojtjes institucionale.

Heshtja e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për këtë aspekt është po aq shqetësuese sa vetë skandali. Deri më tani nuk ka njoftime për hetim të brendshëm, suspendim zyrtarësh apo përgjegjësi konkrete në dogana dhe polici kufitare. Pa këtë hap, çdo deklaratë për luftë kundër narkotrafikut mbetet propagandë.

Politika dhe droga: një lidhje e parehatshme

Në Serbi, çështja merr përmasa edhe më problematike politike. Presidenti Aleksandar Vuçiq deklaron se shteti nuk ka asnjë lidhje me aferën, duke theksuar se policia ka kryer operacionin. Por faktet e bëjnë këtë mbrojtje të brishtë: droga u gjet në pronën e një zyrtari lokal të partisë në pushtet, SNS, ndërsa opozita pretendon se njëri nga të arrestuarit ka lidhje të ngushta me rrethin familjar të ministrit të Mbrojtjes.

Deklaratat se “nuk ka njerëz të mbrojtur në Serbi” tingëllojnë standarde, por nuk mjaftojnë. Nëse vërtet nuk ka mbrojtje politike, atëherë heshtja e ministrit të përmendur, arratia e organizatorit kryesor dhe mungesa e përgjegjësisë politike janë kontradiktë e hapur.

Nga individët te rrjeti

Autoritetet flasin për “individë të përfshirë”, por rasti flet për rrjet të organizuar kriminal ndërkombëtar, me lidhje politike dhe me aftësi për të kaluar kufij shtetërorë pa pengesa. Fokusimi vetëm te emrat e arrestuar rrezikon ta mbyllë aferën në nivel penal, duke e shpëtuar sistemin nga llogaridhënia.

Përfundim

Kjo nuk është histori për suksesin e shtetit, por për dështimin e tij të thellë, të korrigjuar vetëm pasi dëmi ishte bërë. Pa hetim të plotë në Maqedoninë e Veriut për daljen e drogës nga territori i saj dhe pa përgjegjësi politike në Serbi për lidhjet e pushtetit me të arrestuarit, rasti i pesë tonëve të marihuanës do të mbetet edhe një shembull se si skandalet e mëdha në Ballkan përfundojnë me dënime të vogla dhe heshtje të madhe…www.telegrami.mk

===============================================================

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments