Pesë makina ratrak nga një operator i paautorizuar kanë sulmuar punonjësit e Institucionit Publik Parku Kombëtar Mali Sharr. Ata kishin lëvizur pa leje adekuate, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare, punonjësit e Institucionit u penguan nga operatori përmes lëvizjes së ratrakëve, duke pamundësuar kështu zbatimin e detyrave të parashikuara me nenin 112 të Ligjit për mbrojtjen e natyrës. Veprimet jolegjitime të operatorit krijuan rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e punonjësve të Institucionit, duke dëmtuar funksionimin normal të aktiviteteve institucionale dhe respektimin e legjislacionit në fuqi”, raportuan nga Parku Nacional Mali Sharr.
Ata paralajmëruan kallëzim penal në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Gjatë kontrollit në terren, në pronë shtetërore, u konstatuan aktivitetet e skiimit me pesë makina ratrak nga një operator i caktuar, i cili nuk kishte lidhur kontratë ose marrëveshje të përshtatshme me Institucionin Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, siç parashikohet me Vendimin për regjimin e lëvizjes me automjete në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe me Planin e Menaxhimit të parkut”, sqaruan nga Parku Nacional Mali Sharr.
