13.8 C
Tetovo
E shtunë, 12 Prill, 2025
BallinaLajmePërurohet sistemi One Stop Shop në vendkalimin kufitar Bllacë- Hani Elezit

Përurohet sistemi One Stop Shop në vendkalimin kufitar Bllacë- Hani Elezit

Pas shumë premtimeve e paralajmërimeve, kufiri Bllacë- Hani i Elezit, u bë me vetëm një ndalesë. Qytetarët nga tani e tutje do të kontrollohen vetëm një herë, përkatësisht nga shteti pritës. Të dhënat do të shkëmbehen mes sistemit të përbashkët mes dy shteteve. Në fjalimin e tij, kryeministri Hristijan Mickoski tha se kufiri i përbashkët, paraqet urë lidhëse për qytetarët, për kulturën dhe biznesin e dy shteteve.

“Sot këtu në mënyrën më të mirë tregojnë se kufiri nuk duhet të jetë mur. Kufiri mundet dhe duhet të jetë urë e jona e përbashkët, urë e cila lidhë njerëz, ide dhe mundësi. Urë përmes së cilës flitet për besim, bashkëpunim, shkëmbim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe turizmit. Urë që do ta kalojnë miliona shqiptarë por edhe miliona shpresa dhe plane. Kjo iniciativë është vërtetim se kur ekziston vullnet i sinqertë politik, vizion i përbashkët dhe qasje pozitive, nuk ka sfidë që nuk mund të tejkalohet”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi se qytetarët nga dy anët e kufirit me vite e kanë pritur këtë arritje ndërsa edhe zyrtarët policorë tani do të punojnë krah për krah njëri tjetrit.

“Krijimi i pikave të përbashkëta në vendkalimet kufitare Hani Elezit – Bllacë dhe Glloboçicë – Jazhincë, janë më shumë se sa infrastrukturë kufitare. Janë pika të reja bashkëpunimi dhe shërbimi që lidhin edhe më shumë dy shtetet tona dhe forcojnë edhe më tej fqinjësë tonë të mirë”, u shpreh Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.

Për zv.kryeministrin Izet Mexhiti, ky projekt paraqet akt konkret për të ardhme pa kufij dhe hap drejt një Ballkani që zgjedhë bashkëpunimin mbi ndarjen.

“Ne po shënojmë një moment të rëndësishëm për lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave si një postulat themelore i Bashkimit Evropian. Në këtë frymë ne edhe praktikisht e hedhim edhe hapin e radhës drejt realizimit të konceptit “Evropa pa kufi” dhe kjo maksimë vlen jo vetëm për kufijtë fizik që ndajnë vendet e Ballkanit por edhe për kufijtë që ndajnë bashkëpunimin nga paragjykimi, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër.

Dy ministrat e brendshëm, Pançe Toshkovski dhe Xhelal Sveçla, theksuan se dy shtetet do të përforcojnë kontrollet në vendkalimet kufitare, do të luftojnë fuqishëm aktivitetet joligjore dhe kriminale me qëllim që asnjëra prej shteteve mos të ndihen të pasigurta. Por ajo që ra në sy në këtë ngjarje, ishte mungesa e flamurit të Kosovës, në pjesën para kabinave të kontrollit të policisë. Shtiza ku duhej të vendoset flamuri i Kosovës, ishte bosh. Siç mëson Alsat, përfaqësuesit e Kosovës kanë dashur të vendosin flamurin e tyre por janë penguar nga përfaqësues të MPB-së së Maqedonisë, duke u thënë se e njëjta do të vendoset ditë tjetër, përkatësisht pasi të përfundojë ngjarja e sotme publike./Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments