Ndryshe nga herat tjera, sivjet takimi i fundvitit me mërgimtarët, u realizua në objektin e ri të komunës së Kërçovës, ku administrata komunale, pas festës së vitit të Ri do të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarët.
Sot në mënyrë solemne po hapim dyert e këtij institucioni, i cili u ndërtua me angazhimin e mërgimtarëve, si pjesë e fuqishme në të gjitha aspektet, potencoi kreu i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i cili me këtë rast i prezentoi edhe projektet e realizuara gjatë periudhës së kaluar dhe projektet kapitale të planifikuara për vitin që vjen.
“E kemi diskutuar shpesh kanalizimin e Zajazit, ai është në ndërtim e sipër, dhe tanimë e përcjellim për ta përmbyllur në tërësi si projekt, kemi diskutuar çështjen e mbeturinave, tani Ndërmarrja komunale vetëm se fillon zgjërimin e aktivitetit të saj për menaxhimin e mbeturinave në çdo vendbanim dhe nga viti i ardhshëm do të jetë prezente në të gjitha vendbanimet tona, duke shfrytëzuar një lloj mini fabrike për reciklimin e mbeturinave. Përveç objektit të komunës, do të kemi edhe objektin e ri të gjimnazit, gati se janë përmbyllur të gjitha projektet e fushës së arsimit furnizimit me ujë të pijshëm dhe të infrastrukturës rrugore”, tha Fatmir Dehari, kryetar i komunës së Kërçovës.
Vitin e ardhshëm, tha ai, do të përforcojmë kapacitetet komunale në të gjitha fushat, rritjen e cilësisë së jetës dhe investimeve kapitale që do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës.
Në këtë godinë që inaugurohet sot, ashtu si edhe në objektet tjera ushtarake në Kërçovë, Shkup dhe Kumanovë, dikur bëheshin planet antishqiptare, ndërsa sot ato janë shndërruar në universitete dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve, potencoi lideri i BDI-së Ali Ahmeti, në takimin e fundvitit me mërgimtarët e Kërçovës.
“Komunat rurale, Zajazi dhe Osllomeja ishin shkëputur prej qytetit dhe infrastrukturës, sepse infrastruktura ishte ndërtuar në qytet me plane të mirëmenduara afatgjate, që më në fund, më vitin 2001 u vendos për ndarjen e teritoreve që ishte tërësisht në dëm të komunitetit shqiptar. Në çfarëdo forme që të hyje në këtë projekt, ne do ishim të humbur, me një humbje të thellë dhe të dëmshme për historinë tonë. Ne zgjodhëm rrugën më të vështirë, marrëveshjen paqësore të Ohrit dhe shtetin e përbashkët, por jo qiraxhi në shtëpinë tonë, sepse sipas asaj oferte Zajazi dhe Osllomeja do ishin Shqipëri, ashtu si dhe Tetova, Gostivari dhe Dibra, por 150 mijë shqiptarë do të mbetnin andej dhe 60 mijë maqedonas këndej, që duhej të bëhet shkëmbimi i popullatës ndërtimin e shtetit të përbashkët. Misioni ynë është amaneti i rilindjes tonë kombëtare”, tha Ahmeti.
Janë bërë vërtetë punë kolosale. Dikur ishte ëndërr posti i ministrit të jashtëm, të mbrojtjes, financave, apo posti i kryetarit të Kuvendit. Askush nuk besonte se ky vend do të ketë kryeministër shqiptar, por ja që më 28 janar kryeministri shqiptar do të jetë në shërbim të këtij vendi, nënvizoi Ahmeti.