Washington, 5 qershor 2025 – Konflikti mes Elon Musk dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa miliarderi ka lëshuar një seri sulmesh në rrjetet sociale dhe ka sugjeruar hapur krijimin e një partie të re politike.
Përplasja nisi për shkak të një projektbuxheti të epokës Biden, të cilin Musk e kundërshton me arsyetimin se do të rrisë borxhin kombëtar me triliona dollarë. Por Trump deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se kundërshtimi i Musk vjen sepse preken drejtpërdrejt interesat e tij biznesore, veçanërisht ato të kompanisë Tesla.
Në qendër të debatit është propozimi për të hequr kreditë tatimore deri në 7,500 dollarë për çdo automjet elektrik – një nxitje që Musk e konsideron thelbësore për përhapjen e makinave elektrike dhe për të mbështetur rritjen e Teslës.
Në një seri postimesh të forta në rrjetin X, në pronësi të tij, Musk deklaroi se Trump nuk do të kishte fituar zgjedhjet pa mbështetjen e tij. “Ai ka edhe 3.5 vite. Unë do të jem këtu për 40 vitet e ardhshme”, shkroi Musk, duke ndezur më tej tensionet.
I pyetur për këtë, Trump u shpreh i zhgënjyer me Musk: “Nuk ka thënë ende fjalë të këqija për mua… por kjo ndodh, disa largohen nga administrata dhe kthehen armiqësorë”.
Në një reagim të fundit në rrjetet sociale, Trump e akuzoi Musk se “ka çmendur” pasi humbi përkrahjen shtetërore për mandatet e automjeteve elektrike. “Ai u tregua i dobët. I kërkova të largohej, i hoqa mandatin që detyronte të bliheshin makina elektrike që askush nuk i donte – dhe ai thjesht u çmend”, shkroi Trump.
Ndërkohë, Musk ka nisur të mbledhë përkrahës në rrjetin X dhe po diskuton hapur krijimin e një partie të re, çka mund të trazojë skenën politike amerikane për zgjedhjet e vitit 2028.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.