Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe partnerët e koalicionit do të dorëzojnë në Kuvend Rezolutë për parandalimin e dezinformatave lidhur me çështjen e migrantëve të paligjshëm, por edhe për konfirmimin e politikave qeveritare kundër migrimit ilegal.
“Ajo është e përbërë nga 9 pika dhe në të qëndron se dënohen dezinformatat për gjoja pranimin e migrantëve dhe ndërtimin e kampeve. Konfirmohet se politika të tilla nuk ekzistojnë e as që do të ekzistojnë. Shfuqizohen të gjitha aranzhimet paraprake të qeverisë së Zaevit lidhur me kampet e migrantëve dhe ftohet në fjalor të përgjegjshëm dhe të qartë, mbrojtje të sigurisë, stabilitetit dhe marrëdhëniet ndëretnike. Gjithashtu konstatohet se shpërndarja e vetëdijshme e dezinformatave do të sanksionohet sipas ligjeve ekzistuese”, tha Nikolla Micevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Iniciativa vjen pas presionit të vazhdueshëm të opozitares LSDM, e cila pretendon se qeveria ka pranuar që të sjellë migrantë nga Britania e Madhe në këmbim të mjeteve financiare apo kredisë prej 6 miliardë eurosh. Madje, para se VMRO-DPMNE të propozojë rezolutë, nga LSDM disa ditë kanë kërkuar që të miratohet një rezolutë me përmbajtje kundër sjelljes së migrantëve.
“Tërë javën VMRO-DPMNE dhe Mickoski refuzojnë ta nënshkruajnë rezolutën me të cilën qartë dhe pa mëdyshje do të parandalohej strehimi i migrantëve për para në Maqedoni. Pse? Thjeshtë, sepse marrëveshje ka. Të mos kishte agjenda të fshehta dhe marrëveshje nën tavolinë, rezoluta do të ishte nënshkruar”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, Sekretar i Përgjithshëm i LSDM-së.
Lidhur me rezolutën e propozuar nga VMRO-DPMNE nga LSDM theksojnë që nuk parashikohet dispozitë e qartë kundër sjelljes së migrantëve dhe se vetëm luajnë me fjalë, në tentim për t’i definuar ndryshe migrantët./Alsat.mk
