Grupi i këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin dhe zhgënjimin për refuzimin e deklaratës sonë nga Këshilli i Komunës, e cila kërkonte të shqyrtohej vendimi i Qeverisë të 24 shtatorit për mosllogaritjen e mërgimtarëve si banor jorezident.
Pavarësisht respektimit të procedurave, deklarata jonë u hodh poshtë, duke vënë në dyshim drejtësinë procedurale dhe procesin demokratik brenda Këshillit.
Arsyetimi i Komunës, që deklarata bie jashtë fushëveprimit të Këshillit, është i papranueshëm.
Ky vendim ka pasoja të rënda për Gostivarin, duke përjashtuar 33,000 banorë dhe duke reduktuar Këshillin me 8 këshilltarë.
Kjo është një goditje për të drejtat dhe interesat e qytetarëve të Gostivarit dhe ka pasoja ekonomike, duke sjellë humbjen e mbi 2.5 milionë eurosh në financim për komunën. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon vendimin e Qeverisë për përjashtimin e diasporës shqiptare nga proceset vendimmarrëse, një vendim që është antikushtetues dhe antiligjor, i motivuar politikisht dhe që dëmton drejtpërdrejt qytetarët e Gostivarit.
Ky vendim ka pasoja të rënda financiare për qytetarët, pasi humbjet në financim do të prekin të gjithë banorët.
Grupi i Këshilltarëve të BDI-së kërkon llogari nga ministri Arben Taravari dhe ministrat shqiptarë që nuk mbronë të drejtat e mbi 170.000 mërgimtarëve.
Heshtja dhe mosveprimi i tyre në këtë moment kritik është i papranueshëm.
Ne jemi të palëkundur në angazhimin tonë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe për një të ardhme të barabartë për të gjithë banorët dhe diasporën shqiptare.
Beteja jonë do të vazhdojë deri në instancat më të larta për të garantuar barazi dhe drejtësi për komunitetin tonë.
BDI do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e qytetarëve dhe për një të ardhme më të drejtë për të gjithë!