Ish drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Viktor Dimovski mohon akuzat se është përgjegjës për ndjekjen apo përgjimin e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski derisa ishte në opozitë, respektivisht në vitet 2019-2024. Dimovski në një intervistë për 360 Gradë thekson që për Mickoskin nuk është formuar lëndë apo nuk ka qenë shënjestër target i ndjekjes dhe përgjimit, por nuk mund të dijë nëse dikush prej qindra të punësuarve në Agjenci e ka përmendur diku.
“Unë nuk kam qasje dhe nuk mund të them nëse diku, në ndonjë dokument, në ndonjë përpunim operativ, të disa personave që kanë qenë në aspektin e sigurisë me interes, cilat emra përmenden dhe nuk mund të konfirmoj nëse përmenden ose jo. Por, ajo nuk nënkupton që lideri i atëhershëm i opozitës është evidentuar formalisht në formën operative të punës”, tha Viktor Dimovski, ish drejtor i ASK-së.
I pyetur që nëse kjo nënkupton mënyrë elegante apo indirekte për ta ndjekur dikë, respektivisht të jetë lëndë e përpunimit operativ, ndërsa formalisht të mos jetë shënjestër, Dimovski shprehet
“A pse do të shërbeheshim me mënyrë elegante, kur kemi eventualisht njohuri të konfirmuara se dikush, kushdo qoftë ai, ndërmerr aktivitete që e rrezikojnë sigurinë kombëtare”, shtoi Viktor Dimovski, ish drejtor i ASK-së.
Për rastin në fjalë, që në opinion rrodhi nga Agjencia për Siguri Kombëtare, pas një hetimi të brendshëm nga drejtori aktual Bojan Hristovski, ministri i Punëve të Brendshme, thekson që nuk ka informata shtesë, por beson që aktualisht askush në shtet nuk përgjohet apo ndiqet ilegalisht.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në këtë rast konkret nuk ka kurrfarë informacioni shtesë që posaçërisht ka arritur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, prej atyre informatave që publikisht janë ndarë nga ana e Agjencisë për Siguri Kombëtare. Dhe ashtu duhet të jetë”. 08:04 “Nuk besoj që sot ka keqpërdorim, në kundërshtim me ligjin të dëgjohet cilido gazetar, funksionar apo cilido që nuk do të mundje të lidhet me kryerjen e veprës penale konkrete. Sinqerisht nuk besoj”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, pas denoncimit të rastit në Prokurori, hetuesit në kuadër të procedurës parahetimore kanë hyrë në hapësirat e Agjencisë për Siguri Kombëtare, ku kanë kërkuar që të fillojnë me kontrollin e dokumenteve. Dyshimet sipas kontrollit të brendshëm të ASK-së janë që krahas Mickoskit janë ndjekur dhe përgjuar edhe disa gazetarë, biznesmenë por edhe një ministër dhe një prokuror, nën arsyetimin se po tentohet të rrëzohet pushteti i atëhershëm i udhëhequr nga LSDM dhe BDI./Alsat.mk