Ka përfunduar takimi informal i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi i cili u zhvillua në Vilën 30 në Tiranë është mbajtur në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.
Radio Televizioni Shqiptar raportoi se të pranishëm në takim ishin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.
Në takim mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi. Megjithatë, Kurti do të marrë pjesë në samitin e Tetorit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e kishte njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.
Ndërsa Klisman Kadiu, këshilltar për media i Besnik Bislimit, ka mohuar lajmin se zëvendëskryeministrit iu është refuzuar pjesëmarrja në takimin joformal të liderëve të Ballkanit Perendimor, pasi sipas tij, pjesëmarrja në këtë takim nuk ka qenë e planifikuar nga vet Bislimi.
“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, mediat në Shqipëri raportuan se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga Qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Por ky takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit.
Mediat atje theksuan se zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me poste të sigurt Qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit.
Rama publikon fotografi me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor pas takimit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është deklaruar pas takimit të së hënës joformal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, në të cilin nuk ishte i pranishëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Rama ka publikuar një fotografi në profilin e tij zyrtar në Facebook, me homologët e pranishëm nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Serbia, si dhe komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi.
“Sot pas takimit informal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić”, ka shkruar ai krah fotografisë.
Ky takim, i cili u zhvillua në Vilën 30 në Tiranë, është mbajtur në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.