-0.5 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmePërfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore në RMV, ja ku nuk ka...

Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore në RMV, ja ku nuk ka HIÇ apo ku janë 2%?!

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i bashkësive etnike në institucionet shtetërore vazhdon të zbatohet me ritëm të ngadaltë. Madje sipas raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2018, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e shtetit shënon rënie.  Nëse në vitin 2016 përfaqësimi i shqiptarëve ishte 19,2%, në vitin 2017 ka rënë në 19.1 %, ndërsa 2018-ën ka rënë në 19%. Në raportin e fundit të Avokatit të Popullit, figurojnë edhe institucione ku vërehet diskriminim total. Kjo është në Agjencinë e filmit. Nga 11 të punësuar në këtë Agjenci, 10 janë maqedonas dhe një i etnitetit vlleh. Nga Agjencia, për Alsat, arsyetohen me përgjigje se kanë bërë tentime por nuk ka pasur interes nga qytetarët shqiptar.

Gjatë vitit 2018 përfundoi procedura për marrjen e nëpunësit të administratës (Shqiptarë) nga Sekretariati për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Pas përfundimit të procedurës, personi, pa asnjë arsye dhe shpjegim nuk u paraqit në Agjenci për ta nënshkruar marrëveshjen dhe nuk përgjigjej në thirrjet në telefonin celular. Për këtë rast është njoftuar Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes kornizë, por nuk kemi marrë përgjigje. Për shkak të volumit të madh të punës dhe numrit të vogël të të punësuarve, Agjencia e Filmit disa herë ka kërkuar nga Ministria e Kulturës (si organ kompetent për buxhetin e Agjencisë) dhe Ministria e Financave, por nuk kemi marrë përgjigje pozitive për punësime të reja – thonë nga Agjencia e Filmit.

Përfaqësimi i ulët i të punësuarve shqiptarë është edhe në gjyqësor. Në gjykatën supreme, nga 85 të punësuar, ka vetëm 6 gjykatës, të cilët janë të emëruar. Por nuk ka asnjë të punësuar në administratën gjyqësore në pozitat udhëheqëse ose jo udhëheqëse. Dhe përfaqësimi i shqiptarëve është vetëm 7.1 për qind. Nga supremja fajin e hedhin tek mungesa e kuadrit.

Arsye për përfaqësimin e ulët të të punësuarve të nacionalitetit shqiptar në administratën e gjyqësorit në Gjykatën Supreme është ajo që në shpalljet e deritanishme për punësim, nuk ka pasur kandidatë të nacionalitetit shqiptar – njoftojnë nga Gjykata Supreme.

Numri i vogël i të punësuarve shqiptar është edhe tek Shoqëria Aksionare për bartjen e energjisë elektrike dhe menaxhimin me sistemin elektro-energjetik MEPSO.  Në raportin e Avokatit të popullit për vitin 2018 thuhet se nga 606 të punësuar në këtë institucion, vetëm 12 janë shqiptarë, respektivisht 2%. Në pyetjet e ALSAT përse numri i të punësuarve shqiptar është kaq i ulët, nga MEPSO thonë se në vitin 2019 ka ndryshuar gjendja.

Punësimet në kompani gjithmonë janë në harmonizim me planin për punësim i cili është krijuar nga nevojat për pozita të reja pune dhe nga rrjedha natyrore e kuadrove të pensionuar. MEPSO gjatë punësimit gjithmonë jep trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët pavarësisht gjinisë, konfesionit ose përkatësisë etnike. Konfirmim se nuk ka diskriminim është fakti që në vitin 2018 numri i shqiptarëve të punësuar në MEPSO është rritur për pesë herë krahasuar me vitin e kaluar – thonë nga MEPSO.

Sipas raportit të Avokatit të popullit për vitin 2018, në 1374 institucionet shtetërore të hetuara, ka të punësuar gjithsej 138 326 të punësuar. Por prej tyre të punësuar shqiptar janë 26 261 ose gjithsej 19 %. Në vend ka numër të madh të institucioneve të cilat nuk kanë as 10 për qind të të punësuarve shqiptarë.


RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments