Për herë të pestë Këshilli i Komunës së Tetovës e ka pezulluar zbatimin e planit detal urbanistik 57 (57A), e njohur ndryshe si vendi i ish fabrikës “Shik Jellak”. Kjo sipas komunës bëhet për të mbrojtur interesin publik, ndërsa pritet miratimi i planit të ri për këtë zonë, raporton Portalb.mk.
Kjo pikë u miratua pasi 16 këshilltarë votuan “për” ndërsa 13 “të përmbajtur”.
Rilind Selmani nga Sektori i Urbanizmit në Komunë tha se gjatë kohës që ishte duke u mbajtur mbajtur seanca, nga Ministria e Transportit kanë marrë informacion dhe pëlqim.
“Kemi siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm”, tha Selmani.
Liridon Disha, këshilltar nga BDI-ja tha se kjo është pezulluar çdo gjashtë muaj.
“Pse të njëjtën nuk e bëni për bllokun te Monopolli për të cilën u bë një debat shumë i madh publik se u shit prona 7 mijë metra katrorë për 7 mijë euro. Të njëjtën mund ta bëni edhe për atë bllok”, tha Disha.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se bëhet fjalë për dy raste të ndryshme.
“Me pezullimin e fundit në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Transportit kemi gjetur zgjidhje që e gjithë ajo hapësirë që është pronë shtetërore të transformohet me plan detal urbanistik për objekte me interes publik, do ndërtohen shkolla, parqe, fusha sporti, çerdhe”, tha Kasami.
Ai tha se sa i përket bllokut urban te Monopolli nuk ka të bëjë aspak me Komunën e Tetovës dhe atë që opozita e promovon si shitje dhe keqpërdorim, por që është çështje teknike.
- Plani Gjeneral Urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
Deri tani ky plan është pezulluar pesë herë
Më 7 prill 2022, Këshilli Komunal i Tetovës pezulloi për një vit planin detal urbanistik për bllokun 57 dhe 57A “Shik Jellak”.
Më 31 mars 2023 Këshilli i Komunës për herë të dytë pas një viti pezulloi edhe për gjashtë muaj disa pjesë të dispozitave planore të planit detal urbanistik 57 dhe 57A.
Më 31 tetor 2023 Këshilli Komunal për herë të tretë e pezulloi edhe për gjashtë muaj zbatimin e planit urbanistik për bllokun urban 57 dhe 57A.
Më 12 qershor 2024 Këshilli i Komunës për herë të katërt e pezulloi edhe për gjashtë muaj zbatimin e planit detal urbanistik 57 (57A).
Me votimin e sotëm u bë pezullimi i pestë.
Cila është prapavija?
Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të Teuta Arifit ndryshoi tërësisht planin detal urbanistik të bllokut urban 57A që më pas u “përgatit” shitja e pronës “Shik Jellak” biznesmenit kontrovers serbo-malazez, Miodrag Daka Davidoviq, ku parashihej që kjo pjesë të shndërrohet në bllok urban për ndërtimin e banesave dhe një qendre tregtare.Davidoviq për opinionin në Maqedoninë e Veriut është i njohur prej bisedave të publikuara gjatë periudhës para zgjedhjeve parlamentare, ku përmendet edhe puna në lidhje me Shik Jellakun- Tetovë.