Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Guler, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.
Në njoftimin nga Presidenca e Kosovës thuhet se Osmani e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.
Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën”, thuhet në njoftim.
Më tej, Ministri Guler u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet.
Në takim, Presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet.
Osmani po ashtu e konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim.