Pensionistët nga të gjitha anët e vendit u mblodhën sot në protestën e tretë të madhe në Shkup, duke kërkuarqë autoritetet ta dëgjojnë kërkesën e tyre për pensione më të larta. Rritje lineare të pensioneve për 5.000 denarë dhe pension minimal prej 18.000 denarëve, janë dy kërkesat kryesore që ata i bënë nga protesta e sotme. Marshi protestues filloi nga Ambasada Amerikane dhe përfundoi para ndërtesës së Qeverisë. Pensionistët thanë se edhe pas tre muajsh protestë, ende nuk kanë asnjë përgjigje nga Qeveria dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale lidhur me kërkesat e tyre.
DRAGAN UGRINOVSKI, KRYETARI I BORDIT INICIATIV TË PENSIONISTËVE
“Nëse plotësohen dy kërkesat e para për rritje lineare dhe pensionin minimal, do të jemi të kënaqur dhe do t’i ndalojmë protestat, por nëse nuk gjejmë mirëkuptim nga qeveria do të vazhdojmë më radikalisht. Kjo protestë e tretë është paqësore dhe pa asnjë problem, por më vonë do të mblidhet trupi koordinues nga të gjitha qytetet dhe do të merremi vesh se çfarë të bëjmë më pas”.
Ugrinovski thotë se kërkesa për pranim i është dorëzuar kryeministrit Dimitar Kovaçevskit dhe presidentit Stevo Pendarovski, por asnjëri prej tyre nuk ka përgjigje për takim të mundshëm.
DRAGAN UGRINOVSKI , KRYETARI I BORDIT INICIATIV TË PENSIONISTËVE
“Është sikur të mos kemi president. Presidenti Stevo Pendarovski në këta tre muaj nuk e ka përmendur fjalën pensionist edhe pse prej 5 tetorit kemi bërë kërkesë për pranim për t’i treguar golgotën tonë, që ai të njihet me problemet tona si president dhe të intervenojë në qeveri, por ai heshti edhe ndaj kërkesave tona”.