Për vitin 2025 janë planifikuar gjithsej 53 miliardë denarë, ose 862 milionë euro, për pagesën e transfereve. Këto transfere nga Qeveria drejt Fondeve të Sigurimit Pensional nuk janë vetëm për pagesën e pensioneve, por edhe për sigurimin shëndetësor të pensionistëve dhe shpenzimet tranzicionale ndaj shtyllës së dytë pensionale. Kështu që, deficiti buxhetor në fondet pensionale lidhet me këto tre komponentë, tha drejtori i Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Nikola Memov, në emisionin “Triling”.
I pyetur nëse vitin e ardhshëm do të ketë rritje të pensioneve, Memov tha se rritja është e garantuar sipas ligjit të miratuar këtë vit.
“– Në mars të vitit 2026 është paraparë rritje prej 1.000 denarësh, si dhe harmonizimi ligjor që duhet të bëhet në shtator, i cili është i parashikuar të jetë mes 3 dhe 5 përqind” – tha ai.
Lidhur me komentet se rritja lineare e pensioneve mund të jetë populizëm, ai shpjegoi se këtë masë e vendosi Qeveria me kërkesë të pensionistëve.
“Sasia e përgjithshme e buxhetit për harmonizimin e pensioneve është praktikisht e njëjtë. Dallimi është se të gjithë marrin rritje lineare. Për vitin 2025 projektohej harmonizim prej 4%, prandaj buxheti i njëjtë u nda duke u dhënë nga 1.000 denarë secilit pensionist, për të zbutur rritjen e çmimeve, inflacionin dhe rritjen e pagave” – tha Memov.
Për pyetjen nëse rritja prej 1.000 denarësh është e mjaftueshme për të zbutur goditjet e çmimeve, ai tha se rritja totale e pensioneve në periudhën e fundit është 25%.
“– Dallimet mes pensionistëve në bazë të kontributeve që kanë paguar gjatë jetës së punës mbarojnë në momentin kur pensioni llogaritet. Kush ka paguar më shumë, ka pension më të madh; kush më pak, më të vogël. Por rritjet aktuale, harmonizimet, kanë të bëjnë me inflacionin dhe çmimet, të cilat ndikojnë njësoj tek të gjithë. Prandaj ky model është i drejtë, sepse sistemi pensional është social dhe solidar” – theksoi ai.
I pyetur për gjendjen financiare të Fondit, Memov mohoi se në të ardhmen mund të ketë mungesë pensionesh.
“– Pagesa e pensioneve garantohet nga Qeveria. Për vitin 2026 është planifikuar buxhet prej 152–153 miliardë denarësh, që është gati gjysma e të ardhurave të shtetit. Qeveria garanton edhe pagesën e rritjes së pensioneve, e cila nga marsi do të arrijë vlerën totale prej 7.000 denarësh në muaj. Vetëm për këtë qëllim, vitin e ardhshëm janë ndarë 63 miliardë denarë transfere” – tha ai.
Sa i përket përmirësimit të gjendjes financiare të Fondit, ai tha se duhen marrë parasysh dy faktorë:
“– Së pari, duhet rritje ekonomike dhe hapje e vendeve të reja të punës. Shteti qëndron mbi pesë shtylla: sistemi politik, gjyqësori, ekonomia, sektori real i biznesit, sistemi i sigurisë (ushtria dhe policia), sistemi shëndetësor dhe sistemi pensional që mbulon dy të tretat e popullsisë. Nuk mund të stabilizohet një sektor pa u reflektuar në të tjerët. Stabilizimi i sistemit pensional do të ndikonte edhe në sistemin shëndetësor dhe ekonomik. Nuk mund të rriten kontributet pa bashkëpunim me bizneset dhe odat ekonomike” – theksoi Memov.
I pyetur nëse do të ketë stabilizim të shpejtë të Fondit, ai tha se me ndihmën e Bankës Botërore po krijohet një departament special për aktuaristikë, i cili do të punojë modele matematikore për qëndrueshmërinë e sistemit. Vitin e ardhshëm Fondi do t’i paraqesë Qeverisë një analizë të plotë për situatën dhe perspektivat afatgjata.
Sa i përket gjendjes aktuale në Fond, Memov tha:
“– Nuk kemi asnjë faturë të papaguar ndaj furnitorëve ekonomikë dhe pagesa e pensioneve zhvillohet rregullisht. Gjendja financiare është shumë e mirë” – deklaroi ai.
I pyetur nëse pensionistët do të mund të punojnë edhe pas pensionimit, ai tha se kjo po shqyrtohet, dhe sektori privat është i gatshëm të punësojë pensionistë me profesione të kërkuara.
“– Ligji ua mundëson profesorëve dhe mjekëve të punojnë deri në 67 vjeç, por tani mendojmë për sektorin privat. Pensionistët do të mund të marrin pagë shtesë, mbi të cilën do të paguhen kontribute, të cilat do të shkojnë në një llogari të veçantë në Fond, pa ndikuar në madhësinë e pensionit” – tha Memov.
