Zëvendës ndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Gabriel Eskobar, gjatë vizitës së tij dyditore në Shkup, ka takuar presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Aty u bisedua edhe për situatën rajonale dhe luftën në Ukrainë.
“Në takim u theksua mbështetja e SHBA-ve në aspiratat evropiane të vendit tonë. Ndërkohë, u theksua edhe pritshmëria nga Uashingtoni zyrtar që Maqedonia do të vazhdon rrugën për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, deklarojnë nga presidenca.
Presidenti Pendarovski ka theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane në realizimin e qëllimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut.
“Në takim u diskutuan hapat e radhës që duhet t’i marrë Maqedonia e Veriut që të përparon në procesin integrues në Bashkimin Evropian”, deklaroi Pendarovski.
Ndryshe, zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar shpreson për diskutime produktive me liderët e qeverisë gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, tha shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedone, kur u pyet për të komentuar reagimin e opozitës, përpara vizitës së Escobarit në Shkup.
Në korrik të këtij viti, Escobar, në paraqitjen e tij para Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, deklaroi se administrata amerikane po punon me autoritetet në Sofje në mënyrë që Bullgaria të mos japë kushte dhe kërkesa të reja pasi Maqedonia të përmbushë detyrimet e saj nga marrëveshjet ekzistuese.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.
Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet.
Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.
Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.