Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka dhënë një intervistë për Euronews Albania, ku u pyet për mundësitë e marrjes së postit të presidentit në RMV nga një shqiptar.
Ai theksoi se në postin e presidentit në Maqedoni mund të jetë dhe një shqiptar, por ama duhet të ketë dhe mbështetjen e të gjithë etniteteve në RMV.
Sipas tij, një shqiptar etnik nuk mund të jetë president i Republikës së Maqedonisë, pa votat e të gjithë etniteteve.
“I kthehem pyetjes tuaj të parë dhe përgjigjes time të parë. Domethënë, kur unë them se nuk jam zgjedhur me votat vetëm të shqiptarëve, por edhe me votat e të tjerëve dhe para së gjithash të maqedonasve kjo vlen edhe anasjelltas. Domethënë është plotësisht e mundur, domethënë bëhet fjalë për votim/zgjedhje në nivel kombëtar jo në parlament siç është te ju, mund të zgjidhet edhe një president shqiptar pse jo, por do duhet të ketë mbështetjen edhe të etnitetit maqedonas si dhe etniteteve të tjera dhe jo vetëm të etnitetit shqiptar, kjo është matematika zgjedhore. Ashtu siç unë nuk mund të bëhesha president pa votën edhe të shqiptarëve kështu edhe nesër një shqiptar nuk mund të bëhet president I Maqedonisë nëse nuk do të ketë edhe votën e etnitetit maqedonas”, – tha ai.
Teksa u pyet se si mund të reagojnë qytetarët në Maqedoni nëse të krye të shtetit do ishte një shqiptar ai tha:
“Sot puna në politikë është transparente, sot kemi rrjete sociale, kemi internet domethënë praktikisht 24 orë je në transmetim direkt të asaj që çdo politikan bën në botë. Nuk është ajo kohë e sistemit ideologjik ku nuk kishte këtë përparim teknologjik dhe askush nuk e dinte se çfarë bënin politikanët mbrapa shpinës së qytetarëve. Sot shihet çdo gjë, domethënë në këtë sens të gjithë qytetarët e Maqedonisë, në gjithë këto vite kanë pasur mundësi të shohin se si ka qenë Ali Ahmeti si deputet, si ishte Arbër Xhaferi në atë kohë si një politikanë aktiv, deputet apo lider I një partie politike, si ishte Talat Xhaferi si Ministër i Mbrojtjes në atë kohë në qeverinë e drejtuar nga VMRO DPMNE, si është Talat Xhaferi si kryetar i parlamentit maqedonas në një mazhorancë të ndryshme politike (LSDM). Nuk ka asnjë dilemë se Talat Xhaferi edhe si kryeministër i kësaj qeverie teknike Talat Xhaferi do të jetë sërish me një sjellje profesionale siç ka qenë në postet e tjera. Nuk shoh hapësirë për frikë, po të mos e njihja, po të ishte se shfaqej për herë të parë apo vinte nga jashtë dhe nuk do ta dija se di do jete ky person që i përket një etniteti tjetër si do jetë kundrejt nesh a do të jetë i drejtë, a do të punoj edhe në interesin tonë apo vetëm të interes të të “ashtuquajturve” njerëz të tij. Nuk shoh hapësirë për frikë pasi njerëzit që i përmendët dhe për të cilët flasim i njohim që 20 vjet e ca në Maqedoni dhe e dimë se asnjëherë nuk kanë qenë vetëm në funksion të vetëm një bashkësie etnike. Flas për emrat konkret që u përmendën. Nuk shoh ndonjë frikë të supozuar në të ardhmen se ndonjë shqiptar mund ta çonte mbrapa vendin apo do të punonte kundër interesave të popullit maqedonas. Flas për njerëzit me të cilët kam punuar vite e vite. Flas për Talat Xhaferin, Ali Ahmetin më parë përmenda Arbër Xhaferin. Ato kanë qenë pa dilemë për progresin e shqiptarëve që jetonin në Maqedoni, megjithatë nuk ishin as kundër interesave të maqedonasve dhe këtu qëndron edhe madhështia e tyre dhe rëndësia e tyre. Ju falënderoj për komplimentet gjatë mandatit tim deri tani. Vetëm në këtë mënyrë duke tejkaluar kufijtë dhe linjat etnikë dhe ndasitë mund të ndërtojmë një shtet që të ecë përpara dhe të jetë më i begatë dhe qytetarët më të lumtur. E dini që një numër i madh të rinjsh po largohen nga rajoni për një jetë më të mirë. Kjo po ndodh kudo edhe në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Bosnje, Serbi dhe kudo. Pse, pasi nuk kanë një jetë të mirë këtu. Nëse do vazhdojmë të ndahemi edhe më tej në linja etnike unë ju them se një numër akoma më i madhe të rinjsh do të largohen përgjithmonë nga rajoni ynë”.