Gazeta “KOHA” nga burime mirë të informuara mëson se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski do tu kërkojë partive politike parlamentare që sa më shpejt të merren vesh për formimin e Qeverisë së re. Siç mëson “KOHA”, Presidenti Pendarovski duke u thirrur në Kushtetutën e vendit, do ti thërras liderët e partive politike në takim ndaras, një nga një, për t’u kumtuar se mandatin për formimin e Qeverisë së re do t’ia jep asaj partie apo kandidati që do të dëshmojë se ka 61 nënshkrime deputetësh, gjegjësisht 61 vota në Parlament.
Me këtë do të vendoset edhe një qasje ndryshe në përcaktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë. Të kujtojmë se në vitin 2016, pikërisht duke u thirr në parimin se mandate i takon partisë së parë të dalë në zgjedhje, Presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, fillimisht mandatin ja dha partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e vitit 2016 që ishte VMRO-DPMNE-ja, dhe më pas, pas një presioni të madh të opinionit publik dhe faktorit ndërkombëtar me dëshminë e 67 firmave të deputetëve, Ivanov i dha Zoran Zaevit mandatin për formimin e Qeverisë. Madje atë kohë Ivanov, patë kërkuar edhe dëshmi me shkrim nga Zaevi, se gjatë Qeverisjes së tij nuk do të dëmtojë interesat e popullit maqedonas dhe integritetin territorial të shtetit.
Ndryshe nga këto spektakle të Ivanovit, Presidenti Stevo Pendarovski, në takimin që do e thërras së shpejti do u kërkojë liderëve politik që sa më shpejt të arrijnë kompromis për Qeverisje për shkak se vendi ka nevojë për institucione stabile, të cilat do të ballafaqohen me krizën shëndetësore me koronavirusin. Sipas normave dhe akteve Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Qeverinë dhe kryeministrin e vendit e zgjedh Parlamenti me shumicë të thjeshtë, pra me votat e 61 deputetëve. (koha.mk)